Sot aktori i mirënjohur i humorit Xhevahir Zeneli feston ditëlindjen dhe ne i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera!
Xhevahir Zeneli Lindi në Ersekë, më 10 mars 1961. Pas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve, dega e dramës, filloi punë në Estradën e Tiranës, më 1985, ku vazhdoi deri më 1998, vit kur emigroi në SHBA.
Luajti mjaft role në skenën e kësaj estrade, në specifika të ndryshme të humorit si komedi të shkurtra, skeçe, monologë, dialogë etj.
Interpretimi i tij ra në sy për natyrën e shpenguar, mimikën shprehëse, të folurën karakteristike, veti që u shpërfaqën sidomos në portretizimin e njerëzve dembelë, dinakë, arrakatë, disi halldupë e të trashë, ose të dashur, naivë, frikacakë, burra nën autoritetin e grave, të shefave etj.
Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, ku spikati me rolin e Kolës te “Kur hapen dyert e jetës” (1986), e Danes te “Shkëlqimi i përkohshëm” (1988), e berberit te “Rrethimi i vogël” (1988), “Pas fasadës” (1992), e drejtorit të muzeut te “Revolja e humbur” (1995), “Dashuri me krisma”, “Oreksi i madh”.