Burimet bëjnë me dije se Klodian Calamani është 38-vjeçari i cili ka rrëmbyer fëmijën e fqinjit, e ka vrarë dhe e ka groposur në oborrin e shtëpisë. Ai është ndaluar edhe më herët pasi ka marrë peng një të mitur.
Ashtu si për çdo ditë, 8-vjeçari ishte nisur në shkollë, por nuk e dinte se kjo do të ishte hera e tij e fundit. I mituri, që ishte në klasën e dytë, nuk kishte shkuar në shkollë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë.
Burimet bëjnë me dije se ka qenë nëna e djalit që ka dhënë alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi. Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici. Kjo e fundit nisi hetimet.
Pas këqyrjes së disa kamerave të sigurisë në lagje, u pa nga prindërit se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e 38-vjeçarit Klodian Çalamanit, me biçikletën e këtij të fundit. Kjo ka shtuar shumë dyshimet, ndërsa policia ka zbarkuar në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit pasi u përball me uniformat blu, shfaqi shenja nervozizmi, ndërsa pasi u mor në pyetje në polici, ai ka pranuar autorësinë.
“E mora në shtëpi. E vrava dhe e groposa me baltë në oborr”. Ky ka qenë rrëfimi makabër i autorit të dyshuar. Deri më tani nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, si dhe motivimet.
Klodian Çalamani në 2012 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Gjithçka nisi pasi Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër.
Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të rinjtë, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, gjoksin duke ia prere me biçak.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal.