Bashkimi Evropian mund të çelë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sipas një projektvendimi të 27 vendeve anëtare të bllokut, bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters. Vendimi zyrtar pritet të merret në mesin e kësaj jave.
Nëse aprovohet siç pritej, marrëveshja do të përfundojë vonesën prej dy vitesh dhe do të sinjalizojë hapin e ri për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut, që kërkojnë të anëtarësohen në BE.
Në bazë të një draft vendimi që ka siguruar Reuters, i cili është miratuar në mënyrë unanime nga 27 vendet e bllokut, raportohet se BE do të nisë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Shpresat e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE janë thyer disa herë vitet e fundit për shkak të skepticizmit të Francës dhe Holandës, lidhur me arritjet e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe qëndrimit në shinat e demokracisë.
Por Parisi zyrtar dhe Haga kanë lehtësuar në javët e fundit kundërshtimet e tyre dhe çështja e zgjerimit për këto dy vende u rikthye në vëmendje edhe pse Europa është goditur rëndë nga epidemia e koronavirusit.
Greqia ende nuk i është bashkuar vendimit të vendeve të bllokut, i cili kërkon unanimitetin e të gjithë anëtarëve, por burime diplomatike bëjnë me dije se Athina zyrtare e ka dhënë miratimin e saj pasi në draft u përfshinë dhe kërkesat për minoritetin në Shqipëri.
Sipas burimeve nëse asnjë vend nuk ka kundërshti, vendimi pritet të miratohet në mesin e javës”, thuhet në shkrim.
Sipas draft konkluzionit, Shqipëria duhet të plotësojë edhe disa kushte të cilat janë:
-Miratimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
-Reforma zgjedhore të garantojë financim transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
-Garantimi i zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e GJK dhe GJL.
-Vendosja e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.