Presidenti Hashim Thaçi ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani, duke thënë se pjesëtarë të familjes së saj, i kanë shërbyer Serbisë kundër Kosovës.
Thaçi tha se nëse ajo vazhdon të shpifë ndaj tij do të dalë edhe me detaje të tjera.
“Nga zonja Osmani dikush i ka shërbyer Serbisë. Sikur të isha në vend të saj do të isha djersitur”, tha Thaçi në emisionin Rubikon.
Kjo deklaratë e Thaçit ka sjellë reagimin e Vjosa Osmanit, e cila përmes një statusi në Facebook ka thënë se babai i saj e ka njohur për komandant suprem, Ibrahim Rugovën dhe se për këtë ai po e shpall familjen e saj tradhtare.
Po ashtu Osmani ka thënë se “Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për gabimin e bërë kur e votoi Thaçin për president, i cili po e çon vendin tonë drejt humnerës.
Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime.
Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura.
Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e çon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri atëherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tone”.