U mbushen 44 vjet që është ndarë nga jeta aktori i madh i roleve të vegjë Mihal Stefa. Nderim dhe respekt për figurën e tij! Mihal Stefa lindi në Korçë në vitin 1902 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 17 korrik të vitit 1980.
Që i vogël mbeti jetim, përballoi një jetë të vështirë, i varfër ekonomikisht. Ashtu edhe vdiq, thuajse në varfëri. Punoi si rrobaqepës, punëtor në fabrikën e cigareve, shegert etj. Mori pjesë në shfaqjen “Detyra e memos” (1922), dramë e Foqion Postolit. Në vitin 1929 erdhi në Tiranë, u njoh me Mihal Popin dhe u aktivizua në grupin e tij teatral; në vitin 1932 bëri edhe një kurs për aktor.
M. Stefa ishte nga aktorët themelues të Teatrit të Shtetit, qysh në premierën e parë, dramën “Topazi” e Marsel Pagnolit, 1945. Ai ka qenë aktor brilant i karaktereve, i njohur ndryshe si aktor i madh i roleve të vogla. Në filmin “Skënderbeu”, 1953, luajti me mjeshtëri figurën e Gjergj Aranitit, një prijës i sertë, por i mençur; kurse te tragjedia “Hamleti” e Shekspirit mbeti në kujtesë me rolin e varrmihësit, një figurë kjo interesante, origjinale, ku binte në sy vërtetësia, ironia, shpirti shpotitës që tallet me vdekjen dhe çdo “vlere” të rrejshme, humori plot hir, plastika individualizuese.
Role të tilla të vogla si Luka Lukiç te komedia “Revizori” e N. Gogolit, 1952; Grinjovi te drama “Karakteri moskovit”, 1949; Aleko te drama “I çuditshmi” e N. Hikmet, 1959; gjithashtu role të tjera origjinale në shfaqjet “Otello”, 1953; komedia “Gratë gazmore” të Uindsorit, e Shekspirit, 1959; komedia “Prefekti” e Besim Levonjës, 1948; drama Halili dhe Hajria, 1950 dhe Toka jonë, 1954, të Kolë Jakovës etj.
E kanë paraqitur M. Stefën para spektatorit si një nga mjeshtrat e shquar të teatrit shqiptar në gdhendjen që i bënte karakterit të personazheve me fare pak fjalë. Të veçantat e tij qenë. pos të tjerave, edhe e sjellura tejet e natyrshme në skenë, gjestet shprehëse, zëri karakteristik, çka i bënin të mëvetësishme figurat e shumta që ai jetësoi.
Në kinematografi M. Stefa ka realizuar një sërë rolesh të vogla, në 12 filma, të vizatuar me shije të hollë e realizëm të thellë, të mbushura me detaje kuptimplote dhe qasje të mprehta aktoriale, si në filmat “Tana”, “Debatiku”, “Detyrë e posaçme”, “Toka jonë”, “Vitet e para”, “Kur zbardhi një ditë” etj., veçanërisht roli i Ndues në filmin “Komisari i dritës” (1966) dhe roli i babait të Memo Kovaçit në filmin “I teti në bronz” (1970). Mbante titullin “Artist i merituar”.