Nga Ardian Ndreca
30 vjet ma parë në Shkodër ndodhte nji ngjarje e pazakontë për kohën, ishte 14 janari i vitit 1990 kur në bulevardin kryesor qytetarët shkodranë dolën me demonstrue urrejtjen e tyne ndaj regjimit komunist, tue synue heqjen me forcë të bustit të Stalinit. Ajo datë ka shenjue ramjen e perdes së frikës që kishte paralizue njerëzit për dekada me rradhë.
Demonstrata e 14 janarit nuk ishte diçka e improvizueme, ajo ishte organizue prej nji grupi punëtorësh shkodranë që ishin Dedë Kasneci, Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Rini Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani e disa të tjerë. Qëllimi ishte heqja e bustit të Stalinit si edhe dhanja e nji shtyse të matejshme për demokratizimin e jetës politike shqiptare. E vetmja mbështetje prej jashtë që pati ajo demonstratë ishte ajo që diplomati gjermanoperëndimor Werner Daum kishte mundë me i shprehë Rini Monajkës në nji vizitë që kishte ba në Shkodër disa ditë përpara.
Populli i Shkodrës u lajmërue në mënyrë kapilare dhe atë të diele në sheshin kryesor rreth tremijë persona dolën tue mbytë frikën. As Pjetër Arbnori dhe as dom Simon Jubani, të ftuem me folë përpara turmës nuk pranuen me dalë. Arbnori do të shkruente rreth 15 vjet ma vonë se refuzimi i tij lidhej me mosbesimin e tij që ai popull tashma i përkulun para së keqes do të mund të çonte krye. Ndërsa personi që ishte ngarkue me ftue dom Simon Jubanin, N.B. i çoi fjalë organizatorëve se ai nuk dilte pse nuk ia lejonte feja.
U vendos që fjalimin ta mbante Kolec Hublina, punëtor në Ndërmarrjen e Peshkimin.
Demonstratës do t’i paraprinin arrestime ndërsa mbas saj do të pasonin ndalime në masë dhe arrestime prej të cilave u izoluen organizatorët kryesore dhe në veçanti u vu në shenjestër njeni prej tyne: Rini Monajkën.
Arrestimet e para nisën në darkën e 13 janarit dhe u mbyllën me datën 14 shkurt 1990. Gjithsejt akuza paraqiti për gjykim nji grup kryesor prej tetë vetësh, të cilët ishin: Dedë Kasneci, Rini Monajka, Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Flamur Begu (Elbasani), Kolec Hublina, Tonin Dema dhe Nikolin Thana. Organizatorët e grupit konsideroheshin Kasneci, Monajka dhe Margjini, ndërsa të tjerët pjestarë aktiv me role të ndryshme.
Gjatë hetuesisë e cila u drejtue prej nji grupi hetuesish të udhëhequn prej vetë zv/ministrit Zylyftar Ramizi, u përdor dhunë çnjerzore, në veçanti kundër Rini Monajkës, i cili siç rrëfen vetë në ditarin e mbajtun disa muej ma vonë në burgun e Burrelit, gjatë spostimit me makinë nga Dega e Punëve të Brendshme në Shkodër për në Tiranë u rrah shtazërisht prej sambistave, të cilët i shkaktuen nji frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë.
Por regjimi përpiqej që krahas dhunës të tregonte edhe nji farë qetsie. Ramiz Alia gjatë nji vizite në Uzinën Traktori u shpreh se Taraboshin nuk e lëviz era.
Por “Era e Lindjes” që po frynte nga Berlini në Pragë e në Timishoara kishte mbërrijtë edhe në Shkodër, tue sjellë jehonën e ngjarjeve epokale që po shënonin ramjen e diktaturave dhe përmbysjen e ideologjisë komuniste. Batarja që pak javë ma parë kishte shtri përdhe çiftin Çaushesku ishte tepër afër për mos me u ndie në Tiranë dhe e gjithë makineria e dhunës iu sul tetë organizatorëve të demonstratës e në veçanti Rini Monajkës.
Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizue demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit doli para trupit gjykues të kryesuem prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyne të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e preme.
Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e nji organizate
kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryemjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë.
Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshue.
Dedë Kasneci, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi ua përplasën në fytyrë trupit gjykues aktakuzën që pjesa ma e mirë e shqiptarëve i bante atij regjimi çnjerzor. Ndërsa Rini Monajka ishte i tjetërsuem prej torturave dhe nuk mund të shqiptonte pothuejse asgja në mbrojtje të vetes. Dënimet qenë të ashpra, por tashma era e shndërrimeve politike në Europë nuk e lejonte ma Ramiz Alinë me pushkatue disidentët antikomunistë. Të dënuemit u shpërndanë në burgjet e ndryshme prej Qafë Barit në Sarandë, prej ku u liruen në janar e në mars të vitit 1991.
Ma randë ndër ta ishte damtue Rini Monajka, i cili në tortura kishte pësue nji frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë dhe kishte trauma të randa psikike.
Sot kanë kalue 30 vjet nga ajo ngjarje e protagonisti i asaj demonstrate Rini Monajka, nuk mbërriti me pa deri në fund tjetërsimin e idealeve për të cilat u sakrifikue, mbasi vdiq pak vite ma vonë si pasojë e torturave.
Pushteti vendor në qytetin e tij të lindjes, megjithë kambënguljen e qytetarëve dhe intelektualëve për ta kujtue këtë hero të demokracisë nuk ia ka dhanë emnin e tij të paktën nji rruge. Sigurisht figura e nji idealisti të pastër si Rini Monajka asht në kontrast të plotë me frotën e individëve që morën pushtetin nga viti 1991 deri më sot. Megjithatë ata që do të vijojnë me kujtue këtë datë kuptimplote që shenjon fillimin e fundit të regjimit komunist në Shqipni, do të vijojnë me kërkue që kujtimi i Rini Monajkës të nderohet siç e meriton. Diktatura ka qenë aktive edhe në këto 30 vjetë nepërmjet harresës së qëllimshme dhe nepërkambjes së kujtimit të atyne që u rebeluen ndaj saj.
I nderuari Z. Luka,
Po Ju shkruaj sot megjithëse nuk njihemi personalisht. Unë jam Genc Kortsha, i biri i Xhevat Kortshës, themeluesit të gjimnazit të Shtetit të Shkodrës në vitin 1923. Unë u linda në Shkodër por nuk jetova atje deri në vitin 1948 kur na dëbuan familjarisht nga Tirana.
Do të ishte turp për ne të harronim se qëndresa antikomuniste e Shkodrës me rrethe, megjithëse e pa-përmendur në botën e lirë, u dallua dhe derdhi gjak vjete para kryengritjeve antikomuniste të Berlinit, Budapestit apo të Pragës. Dhe ky qëndrim antikomunist i Shkodrës vazhdoi për sa vjet valoi flamuri me yll mbi Atdhe. Ndër viktimat e fundit ishin edhe Rini Monajka me shokë.
Gjithashtu janë kredhur në heshtje si në Shqipëri ashtu dhe në botën perendimore mjetet çnjerëzore të përdorura nga partia komuniste shqiptare për të imponuar grushtin e kuq në dëm të interesave të Atdheut. Në lëmin ndërkombëtar, udhëheqja e Tiranës kërkoi me çdo mjet nënshtrimin e vendit më parë ndaj Jugosllavisë e pastaj ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Kinës Maoiste derisa doli më vete duke u vetëshpallur “vendi socialist më i përparuar në botë”. Dhe për t’ia hedhur themelet këtij vendi persekutoi torturoi dhe zhduku me çdo mjet ajkën e vendit duke e zëvëndësuar me ‘njerinë e ri socialist’. Edhe sot e kësaj dite keqbërësit e djeshëm justifikohen duke thënë se kur torturonin ‘zbatonin ligjin’ e pra s’kanë përgjegjësi personale për të bëmat e tyre.. Edhe të ekzistonte një ligj i tillë si ka mundësi ta barabarësojnë me parimet e së drejtës njerëzore?
Kur përmënden mjetet e përdorura nga komunizmi shpesh flitet për torturat që kishin për qëllim ta thyenin trupin e të burgosurit. Por regjimi nuk kënaqesh me kaq. Përpiqesh ta thyente të burgosurin edhe psikologjikisht dhe pastaj ia fëlliqte emrin dhe ia persekutonte familjen. Të tilla veprime përpiqen t’i quajnë ligjore e pra në përputhje me të drejtën?
Më 1948-tën u takova me z.in Nush Radovani në Tiranë. Sapo e kishin liruar nga burgu ku pat fituar namë për qëndrimin e tij të papërkuluar ndën tortura të vazhduarshme. E përgëzova për forcën e tij të karakterit. M’u përgjigj me këto fjalë. “Ti po më përgëzon se dijta të them ‘jo’ gjatë torturave. Ruaji përgëzimet e t’ua për atë njeri që kur është në fuqi e ka mundësi ta bëjë të mirën dhe të keqen vendos dhe bën të mirën.”
Sot populli shqiptar martirëve që u masakruan nga komunistët nuk ua zhduk dot vuajtjet as ua kthen dot jetën. Por Ju personalisht, si dhe kolegë të tjerë në qytete, rrethe dhe në Tiranë sot mund t’i nderojnë martirët e komunizmit duke ndërtuar obelisqe dhe përmendore, duke ia vënë emrin rrugëve dhe shesheve në kujtim të këtyre luftëtarëve që nderuan Shkodrën dhe tërë Shqipërinë me bëmat e tyre.
Mesha e parë që u tha në Shkodër u bë me pjesëmarrjen e të krishterëve dhe muslimanëve bashkarisht. Qe shprehje e dashurisë të shtresave të gjera për liri, fe dhe drejtësi. Ju sot e kini në dorë ta bëni të mirën. Largojeni baltën më të cilën komunistët u përpoqën ta përlyenin emrin e heronjëve. Bëni detyrën tuaj patriotike duke nderuar ajkën që ngriti zërin dhe nuk heshti deri sa komunistët ua mbyllën gojën duke ia marrë jetën. Një popull i tërë do t’Ju jetë mirënjohës se akoma sot pret agimin e një epoke të re.
Me nderime,
Genc Kortsha
Detroit, 25 janar 2010
Zotit Lorenc Luka,
Kryetar i Bashkisë Shkodër
Fort i nderuar zoti Lorenc Luka,
Jam venë në dijeni nga një grup qytetarësh shkodranë, për kërkesën e tyre legjitime, për ta nderuar Rini Monajkën, njërin nga pjesëmarresit më aktivë të demostratës së parë antikomuniste në Shkodër, demostratë që nderoi qytetin tuaj e që u bë shkëndija e parë e revoltës publike në Shqipëri. Për këtë akt, diktatura komuniste e burgosi, e rrahu dhe e torturoi çnjerëzisht, si pasojë e së cilës i shkaktoi edhe vdekjen e parakohshme.
Si shkrimtar dhe qytetar, bashkohem me kërkesën e fisme të bashkëqytetarëve, për t’ia venë emrin e tij njerës prej rrugëve të qytetit tuaj apo ndonjë objekti të denjë për këtë emër. Plotësimi i kësaj kërkese mendoj se do të ishte në nderin e këtij qyteti.
Me respekt,
Ismail Kadare
Paris, 15 janar 2010