Në vitin 2000 në duart e qytetarëve kishte ende shumë armë që u morën nga hapja e depove ushtarake gjatë trazirave të 1997-s, ndërsa qeveria socialiste vijonte me përpjekjen e zbehta për të rikthyer rendin dhe sigurinë publike edhe përmes aksioneve për sekuestrimin e armëve, përveç nismave për dorëzimin vullnetar të tyre.
Në një aksion të tillë ra në krye të detyrës edhe Arben Zylyftari, në atë kohë drejtor i Policisë së Shkodrës. Ai mbeti i vrarë gjatë përpjekjeve për sekuestrimin e armëve dhe arrestimit të Bahri Tafilit, babai i Admir dhe Genci Tafilit.
Ishte data 2 gusht e vitit 2000. Forcat e policisë së Shkodrës me në krye Prelë Pjetrushin vihen në gjurmët e Bahri Tafilit, person i shpallur në kërkim për në vrasje për çështje pronësie. I kërkuari mbyllet në banesë së bashku me Genci Tafilin dhe nga aty nisin rezistencën me armë kundër policisë.
Pjetrushi kërkon përforcimi dhe në krye të forcave të ndërhyrjes së shpejtë u vendos vetë Arben Zylyftari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Zylyftari mori një plumb në gjoks dhe më pas ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës.
Policia iu kundërpërgjigj, ku i vrarë mbeti Bahri Tafili, ndërsa u arrestua djali i tij, Genci Tafili. Ky i fundit u dënua më vonë me 25 vite burg, ndërsa u lirua në 2017-n përmes një vendimi të ish-gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha.
Në kërkim u shpall edhe Admir Tafili. Ky i fundit u betua për hakmarrje dhe fajësonte për vrasjen e të atit Prelë Pjetrushin. Ndaj këtij të fundit disa vite më vonë u ndërmor një sulm, ku mbeti i plagosur rëndë. Pjetrushi më vonë largohet nga Shqipëria, ndërsa Admir Tafili i vret dy vëllezërit, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi.
Për këtë krim ai u arrestua dhe dënua me burg përjetë dhe vijon e vuan dënimin në burgun e Drenovës. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit dhe e ëma e Admir e Genci Tafilit, në vitin 2010 është shprehur se i shoqi është vrarë pasi u dorëzua dhe i prangosur nga Prelë Pjetrushi dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.
Këtij versioni i qëndrojnë edhe dy vëllezërit, njëri i dënuar me burg përjetë dhe tjetri i arrestuar tashmë në Gjermani. Për këtë arsye ata kanë dorëzuar në SPAK kërkesën për rihetim të kësaj dosjeje dhe në tetor të vitit të kaluar, SPAK u vu në lëvizje duke marrë në pyetje Admir Tafilin dhe Sokol Koçiun, në atë kohë oficer i policisë gjyqësore që është marrë me hetimin e vrasjes së Zylyftarit.
Ndërkohë, Arben Zylyftari mori vlerësimin “Dëshmor i Atdheut” dhe emrin e tij mban sot edhe Akademia e Policisë.(SI)