Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian miratoi raportin për Ballkanin Perëndimor, i cili kërkon përfshirje më të fortë të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdimin e financimit të vendeve kandidate dhe konfirmimin se procesi i pranimit ka për qëllim anëtarësimin e plotë në BE.
Deputetët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian i bënë thirrje BE-së që të sigurojë liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur.
Ky komitet, përmes takimit të zhvilluar përmes video-konferencës, ka vlerësuar se hapja e dyerve për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në Bashkimin Europian është në vetë interesin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik të bllokut evropian.
“BE-ja duhet të sigurojë që metodologjia ne saj e zgjerimit t’i mbështesë reformat dhe qëndrueshmërinë e qëllimit të anëtarësimit të barabartë për shtetet kandidate”, sipas konkluzave të deputetëve të atij Komiteti, theksohet në takimin e Parlamentit Europian.
Po ashtu rekomandohet që BE-ja të angazhohet më shumë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe të promovojë bashkëpunimin rajonal, dhe të sigurojë fonde të përshtatshme para pranimit që do të përfitojnë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.