Ministria e Brendshme ka marrë masat të reja sa i takon kalimtarëve dhe shoferëve të rinj. Kësisoj ministria ka bërë ndryshime në Kodin Rrugor, ndryshime të cilat korrespondojnë me masa të ashpra për dy kategori, të cilët janë kalimtarët dhe shoferët e rinj, të cilët deri më tani nuk prekeshin pothuaj aspak nga masat ndëshkimore.
Brenda kësaj jave, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të bëjnë publike propozimet që do t’i bëjnë Kuvendit për të ndryshuar Kodin Rrugor. Viti 2020 është cilësuar si “Viti i sigurisë rrugore” nga Ministria e Brendshme, e sakaq duket se kjo e fundit po merr tani më hapat konkret për ta bërë reale këtë nismë. Me ndryshimet e reja, vlen të theksohet se pritet që të ashpërsohen masat për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Ndryshimet në Kodin Rrugor parashikojnë që personat që kanë më pak se 3 vite që kanë marrë lejen e drejtimit, do të ndëshkohen 50 % më shumë për disa nga shkeljet e qarkullimit rrugor, se sa ata që mund të konsiderohen si shoferë të vjetër.
Ata do të ndëshkohen për shkelje të tilla si parakalimet e gabuara, për përdorimin e alkoolit, mosdhënien e përparësisë, e disa shkelje të tjera. Sakaq në një sondazh të publikuar në faqen e Policisë Rrugore ku kërkon që qytetarët të japin mendimin e tyre, nëse janë dakord apo jo me këtë ndryshim, më shumë se 60% e tyre kanë qenë dakord. Kodi Rrugor po ashtu propozon edhe ashpërsim të masave për drejtuesit e mjeteve që lëvizin duke përdorur celularin. Për këtë shkelje, gjoba varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të vjetra, e ndërsa tashmë pritet që në propozimin e policisë, gjoba të shkojë nga 200 deri në 300 mijë lekë të vjetra.
Sakaq një tjetër kategori që do të preket me ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, janë edhe këmbësorët, të cilët deri më tani nuk janë penalizuar apo ndëshkuar ndonjëherë për shkelje të Kodit Rrugor. Për këtë kategori, Kodi Rrugor i ndryshuar parashikon gjoba duke variuar nga 500 deri në 2 mijë lekë dhe me ndryshimet që pritet t’i bëhet Kodit Rrugor, gjoba do të variojë nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë. Vitin e kaluar në të gjithë vendin policia vendosi mbi 502 mijë gjoba, ku 59.200 gjoba janë vendosur vetëm për shoferët që lëviznin me celularë, ndërsa 670 gjoba vetëm për këmbësorët që nuk kalojnë në viza të bardha, apo në mbikalime.