Mimika Luca cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Ajo u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Janinës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi ku edhe përfundoj në “strehën vorfnore”.
Mimi! Kështu e njihnin të gjithë njerëzit e saj të dashur.
Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare, mbetet e paharruar dhe trashëgimia që ajo ka lënë vazhdon të vlerësohet.
Si në rastin e Përmetit, ku sërish iu bë një homazh dhe u nderua si Qytetare Nderi!
Disa prej kujtimeve i kanë zënë vitet, por jo aq sa për mos të kuptuar se Mimika ka jetuar në një kohë tjetër, që s’ngjan fare me teatrin e 40 viteve të fundit.
Mimika Luca cilësohet si një aktore shumëdimensionale, si në teatër, ashtu edhe në kinematografi.
Luca ka hyrë në historinë e artit shqiptar si balerinë në kohën kur pak vajza ia mësynin këtij arti. E po ashtu edhe si aktore e disa prej filmave më të rëndësishëm të kohës kur jetoi.
Edhe pse pati një fëmijëri të vështirë ajo ia doli të ndiqte pasionin për artin, sidomos për baletin.
Ajo interpretoi si balerinë së skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962.
Por pas njohjes me bashkëshortin e saj, Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik.
Roli i parë ka qenë pikërisht krah bashkëshortit Luca në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.
Dashuria e saj me Lucën nisi në pishinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ishte balerinë, 16 vjeç, kur u marros pas aktorit 10 vite më të madh në moshë. Nuk donte të dinte për asgjë, as për vitet e saj, as për fjalët e të tjerëve. E donte dhe pikë!
Gjatë karrierës 15-vjeçare si aktore, Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role.
Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, e shkruar nga vetë aktorja.
Në vitin 1977, ndryshe nga modeli i saj i parapëlqyer, interpretoi me nerv dhe pasion rolin më të arrirë të saj, Lajen në dramën “Lulet e shegës” të K. Jakovës, rol të cilin e përsëdyti në filmin “Kur hidheshin themelet”.
Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës te “Treni niset në shtatë pa pesë”.
Mimika ka qenë gjithmonë e parapëlqyer në formatin e saj të nënës apo gruas së mirë, të shqetësuar, ngushëlluese, shpesh ankuese por që me qetësinë e saj të përçonte paqen.
Rolet e nënave, të edukatoreve apo edhe të mësueseve duket se ishin të prera për karakterin e saj.
Kjo aktore ikonë ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare.
Trashëgimia artistike e Mimika Lucës është një pasuri që publiku shqiptar e ka çmuar dhe do të vazhdojë ta çmojë përgjithmonë!
Në shkurt, aktorja mbylli sytë përgjithmonë për të shkuar pranë bashkëshortit të saj, Ndrek Luca. Mungesën e tij e ka ndjerë me vite, por familja i ka qëndruar gjithmonë pranë. Djali i saj, Gjergji, ka zgjedhur që të birit t’i vendosë emrin e Ndrekës, duke e lartësuar të atin në breza.
Bashkë me të bijën Rozafa, dy fëmijët i dhanë një dimension tjetër përfytyrimit për jetën.
Dhimbja që la te familjarët, kolegët dhe ata që e njohën është e madhe, ama aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare iku pa asnjë peng nga kjo botë.
Këto janë ndër pamjet e saj të fundit duke kërcyer me kolegun e saj, aktorin e njohur Viktor Zhusti dhe me djalin Gjergj Luca. Po festonin 85-vjetorin e lindjes së Mimikës më 24 dhjetor dhe vërtetonin se vitet janë thjesht numra.
Kjo ishte Mimi, kaq energjike, duke buzëqeshur e duke kërcyer… dhe në fund një përqafim!