Për të dytën herë radhazi, brenda një kohe të shkurtër që pas konfirmimit të rastit për parë me COVID-19 në Shqipërisë, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Burime konfirmojnë se presidenti Ilir Meta ka thirrur nesër mbledhjen, e cila referuar të kaluar, do të zhvillohet online, por nuk është përcaktuar ende ora, por mendohet që do të zhvillohet pasdite. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Mbledhja e kaluar e zhvilluar pikërisht në kohë koronavirusi, u zhvillua më 25 mars ku morën pjesë presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryeopozitari Lulzim Basha, Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ministrat Sandër Lleshaj, Etilda Gjonaj, Olta Xhacka, Arben Ahmetaj, Anila Denaj, Ogerta Manastirliu.
Kjo mbledhje vjen në një kohë kur Shqipëria ka konfirmuar 475 raste me COVID-19 dhe 24 viktima dhe 248 të shëruara, me një trend ditor që ka rënë në zbritje, e për pasojë qeveria ka paralajmëruar masa lehtësuese. Nga ana tjetër, opozita me në krye Lulzim Bashën këmbëngul se po kryhen shumë pak testime dhe po fshihet e vërteta e të infektuarve. Gjithashtu, kjo mbledhje vjen një ditë para se të mblidhet parlamenti, (16 prill) për herë të parë në kohë koronavirusi. //Shqiptarja.com