Ilir Meta duket se po lëviz të gjithë gurët për t’i shpëtuar shkarkimit. Teksa seanca për fatin e tij po afron dhe ngritja e Kushtetueses është e afërt, presidenti po tenton dhe stilin agresiv dhe atë të butë, me shpresën se qeveria apo ndërkombëtarët do të tërhiqen nga nisma për shkarkimin e tij.
Dje kryeministri Rama zhvilloi një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe të dy dolën në një konferencë për shtyp. Takimi u cilësua nga kryeministri si shumë i suksesshëm, por për çudi erdhi një reagim nga presidenti Meta. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai ka hedhur foto nga takimi dhe ka kërkuar që të punohet për kushtet e Bundestagut.
“Përshëndes angazhimin e përsëritur të Kancelares Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë”, tha Meta. Por me postimin tij Meta ka ngritur një sërë pikëpyetjesh. Çfarë ka dashur të thotë presidenti? A është kjo një lëvizje për të qetësuar marrëdhëniet me Ramën dhe të huajt? Meta është kthyer në armikun e ambasadorëve në Shqipëri. Në shumë deklarata ai nuk ka kursyer sulmet ndaj ambasadorëve, që nga ambasadori i BE, te zv/ambasadorja e SHBA, e deri te ai italian dhe i OSBE. Por lufta që ka nisur me ndërkombëtarët mund t’i kushtojë shtrenjtë. Madje ka zëra se shkarkimin e tij e duan pikërisht ndërkombëtarët dhe Meta duket se ka ulur dozën e sulmeve. Ka disa kohë që nuk po i godet më. Madje dje në takimin që pati me ambasadoren e SHBA vlerësoi jashtë mase marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa deri dje thoshte se rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë. Mbetet të shihet se cilat janë qëllimet e presidentit, por duket se kreu i shteti po tenton të gjitha mënyrat me shpresën se do i shpëtojë shkarkimit.
Si ndryshoi kurs Meta
Nëse shohim me kujdes qëndrimin dje të Presidentit Meta, duket se kemi një ndryshim 180 gradë. Përpara se të merrej vendimi në tetor për shtyrjen e negociatave, në një studio televizive Meta e nënvlerësoi rolin e kancelares Merkel. Në atë kohë ai shprehej se ajo është si Rama, pasi vendos Bundestagu për Shqipërinë. “Nuk vendos Kancelarja, sepse ajo nuk është aq e fuqishme sa ç’është Rama këtu. Gjermania, edhe ajo (Merkel) kanë dëshirën e mirë. Shpresojmë që kësaj dëshire t’u bashkohen edhe të gjithë grupet në Bundestag. Por natyrisht do të na duhet që të presim edhe pak për këtë gjë. I mbajmë mend ato kërkesa që Krishbaum si kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag ia ka bërë zotit Rama në zyrë, por i ka bërë edhe publikisht në konferencë shtypi me mediat përpara më shumë se sa dy vitesh”, tha Meta.
Po ashtu qëndrimi i Metës bie ndesh me ato të kancelares. Presidenti flet për kushtet e Bundestagut, ndërkohë që Merkel as që i përmendi ato kushte. Ajo vlerësoi reformën në drejtësi dhe deklaroi se duhet të hapen negociatat në pranverë. Ndërkohë nëse zbresim te kushtet e Bundestagut, pjesa dërrmuese po realizohen. SPAK u ngrit, BKH po ngrihet, ndërsa reforma zgjedhore është drejt fundit. Pra reformat po avancojnë, por presidentit vijon të këmbëngulë te kushtet e Bundestagut, kushte të cilët gjithmonë janë për pjesën pasi të vendoset hapja e negociatave./Kliti Topalli