Nuk kanë fund çudirat e presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej disa ditësh ka nisur një luftë të fortë me ndërkombëtarët dhe mazhorancën, duke i implikuar në grusht-shteti kundër institucioneve shqiptare dhe tij në veçanti, ndërsa ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një tubimi në 2 mars përpara Kryeministrisë.
Por ditën e djeshme ka dalë në media edhe kërkesa që presidenti Meta i ka bërë drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ku kërkon leje dhe e njofton se në 2 mars do të organizojë një manifestim në orën 17:00. Mirëpo, në këtë kërkesë bie në sy fakti se kreu i shtetit ka dalë nga korniza e shtetarit dhe se kjo letër i ngjan më shumë një hartimi, pasi porositë që ai thekson janë tejet “qesharake”.
Kështu, përmes kësaj letre Meta fton qytetarët që të vijnë në protestë me lule mimoze të freskëta, që sipas tij, paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë. “Aktiviteti do mbahet më datë 2 mars 2020, ora 17:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe është i hapur. Numri i pjesëmarrësve është jashtë çdo parashikimi. Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë. Qytetarët janë ftuar të kenë me vete flamuj kombëtarë dhe buqeta me lule mimoze të freskëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë”, thuhet në letër. Më tej, në njoftim thuhet se do të firmoset një dekret përpara popullit, kundër grushtit të shtetit, por jo për shpërndarje të Parlamentit. “Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj.
Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.