Kadri Roshi, ylli i kinematografisë dhe skenës shqiptare lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës. E ëma u nda nga jeta kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.
Përfundoi specializimin në Pragë në vitin 1951.
Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor që në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe një ndër krijuesit e këtij teatri.
Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.
Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur.
Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999.
Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë.
Ai pak para se të ndahej nga kjo botë la një mesazh rrëqethës, por shumë domethënës…
“Njeriu ka nevojë për njeriun. Edhe kafsha thonë, kur plagoset kafsha tjetër shkon i lëpin plagën që t’i shërohet.
Po njeriu ç’duhet të bëjë për njeriun? Si thotë Shekspiri, njeriu çfarë vepre është njeriu? Sa bujar nga arsyeja, i pakufishëm nga zotësia, nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm …
Ç’është të duash një njeri? Asgjë s’të kushton. Jemi mysafirë, të tërë do të ikim, por prapë e keqja që bën çdo njeri mbetet. E mira i mbulohet shpesh në varr me kockat…”