Nuk kanë shkruar ndonjëherë kaq pozitivisht mediat italiane për Shqipërinë. Dhe kurrë nuk i kanë pasur të mbushura faqet e para të gazetave apo televizionet me të njëjtin mesazh: Faleminderit nga zemra Shqipëri.
Për herë të parë Shqipëria u mor si shembulli më i mirë për vlerat e saj europiane, nga gjesti i 30 mjekëve dhe infermierëve që zgjodhën vullnetarisht të ndihmojnë kolegët e tyre italiane për të përballuar valën e të infektuarve që kanë mbushur spitalet.
Ky gjest iu server nga mediat italiane, mbarë globit, si mesazh solidariteti dhe si leksion për Europën.
Vendimi i 30 bluzave të bardha ishte reklama më e mirë që është bërë ndonjëherë Shqipërisë në këto 30 vjet, ku Europa na ka njohur si trafikantë drogë e prostitucioni, vrasës, përdhunues e hajdutë.
Por kur në mediat italiane nuk mbeten gazetarë apo analistë, politikanë e artistë të famshëm pa vlerësuar gjestin shqiptar, disa portale në Shqipëri po bëjnë të kundërtën, duke u përpjekur me çdo mënyrë që këtë gjest shembullor ta baltosin, siç bëjnë gjithmonë dhe për çdo gjë.
Këto portale shpifën duke thënë se njeri prej infermierëve vullnetarë ishte pompist karburanti në Vorë dhe jo infermier.
Bëhet fjalë për Qazim Ismailin.
“Rama dërgoi në Itali punëtorin e karburantit në Vorë. E vetmja lidhje që Ismaili ka me mjekësinë është një kurs disa javor për fizioterapi”, shkruajtën portalet pranë opozitës.
Por si është e vërteta?
Qazim Ismaili është licencuar prej 27 vjetësh nga Urdhëri i Infermierit, Shkolla e Lartë e Infermierisë, që në vitin 1993. Ai ka plot 13 vjet eksperiencë dhe ka punuar për 5 vite në QSUT dhe 8 vite në shërbimin ambulator. Shtypi bën të ditur se ka punuar si infermier edhe në Itali për disa vjet.
Shpifje të tilla nuk fyejnë aspak mjekët tanë në Itali apo në Shqipëri, që po japin maksimumin personal në betejë me këtë virus, shumë herë duke rrezikuar edhe jetën e tyre, por turpërojnë gjithë median shqiptare, duke krijuar apo përforcuar perceptimin se mediat në Shqipëri vetëm shpifin, shajnë e fyejnë për këto e për çdo gjë.
30 bluzat e bardha nuk janë mjekë e infermierë të Edi Ramës, por janë përfaqësues të Shqipërisë.
Asnjë media nuk detyrohet të duartrokasë, por asnjë media nuk duhet as të shpifë.