Nga Anri Bala
Kur dëgjon se po bëhet… apo do të bëhet drejtësi, nuk e di pse më kap një inat me këta gënjeshtarët e përhershëm, që duhet tu besojmë vetëm se u kemi dhenë vendin e pamerituar në krye te oxhakut. Drejtesia me këto njerëz do të vazhdoi të jetë një iluzion dhe pandëshkushmëria një makth për një shtet të tërë.
Shumë shpejt do të zhgënjehemi… me kapot e drejtësisë, të cilët “presin” ndëshkimin, si ai i Llallës, që u dënua sikur të kishte vjedhur një celular në çadrën e pushuesve në plazh. Kurse shokët e Metës, Monikës, Saliut, Mediut, Ramës, Bashës, Vasilit, Manjanit dhe lukunia e sotme në pushtet do të vazhdojnë të na fyejn duke u mburrur me trimëritë e hajdutërisë… së pandëshkuar?!
Sa herë që flitet për drejtësi, shoh portretin imagjinar të shumë viteve më parë të atyre… majës së kupolës, të ardhur me valixhe druri në koridoret e instuticioneve të drejtësisë, të urtë, të durueshëm, të besueshëm por të vendosur, për tu pasuruar dhe jetuar nëpër saraje, që shndrisin njësoj si vezullimi i pallatit të drejtësisë, që me hijen e tij të rëndë tremb deri në qeliza çdo hallexhi, që kishte punë me dashje apo pa dashje, me ato salla të mugta, që mbanin brenda njerëz të mllefosur nga inferioriteti i tyre… të “uritur” për tu bërë pasunar jo dosido, por të klasës së parë, lord, ashtu siç u bënë ata që i sollën aty, e që as më shumë e as më pak, vlenin njësoj… asgjë.
Janë po ata plepaxhinjë, ish hetues, persekutor dhe ish drejtues të sistemit të padrejtësisë, që vazhdojnë e na e tundin drejtësinë para syve, si gjahtari mishin egërsirës së uritur në kafaz.
Tani i përfytyroj tek qeshin, sepse e dinë që kurrë nuk kemi për ta ngrënë kafshatën e drejtësisë dhe llogarisin vite dritë për llogaridhënie nga ana e tyre dhe mirë bëjnë që thonë, se të kemi aq jetë do e nisim gjithçka nga e para. Por a do mundemi?
Ndoshta unë ëndërroj që ta mbajmë veten me “kurajo”, duke mos u besuar as veshëve e as syve, por vetem një muzike… asaj të çekiçit të ndëshkimit të padrejtësisë, ndaj babëzisë së piranjave, që po të zunë të bluajnë, duke të spostuar nga dhëmbi i parë deri tek ai i fundit.
Janë të paktë shqiptarët që nuk kanë qenë “ushqimi” i tyre, që nga çeshtje më ordinere administrative, fjala vjen një largim i padrejtë nga puna, hedhja poshtërsisht nga i plotëfuqishmi shtet në mes të rrugës, e deri grabitjet e pronave të trashëguara, që nuk të ktheheshin kurrë, sepse… i kishte “parablerë” grabitësi nga një ose disa anëtarë të lukunisë së ujqërve, të hipotekuar nga ligji pa shtet.
Prokurorët me dhe pa fillore, jetojnë akoma si pjesë e sistemit të përgatitur nga persekutorët e tyre, ata të sistemit komunist, madje arritën deri në majat më të larta të pushtetit në këtë vend.
Nuk besoj se e keni harruar Rustemin dhe rustemët, apo turmën e ish hetuesve të Hoxhës, që kishin masakruar mijëra njerëz në birucat e famshme të diktaturës së proletariatit, që me vetmohim dhe “qenshërbim”, arritën të pensionohen si drejtues të lartë të drejtësisë, ca me dëshirë si të dorëhequr e ca pa dëshirë si profesora të atyre që lanë pas, për të na masakruar si katundarologu qytetarin, kur i bie në dorë… për 10 kokrra vezë!
Ndaj na dhimben t’i bëjmë fajtor, sepse tregtari është tregtar dhe shitja dhe blerja e ditëve të jetës së dhuruar nga Perëndia, ishte biznesi më i fuqishem në demo-qenërinë shqiptare… dhe biznesi vazhdon.
Provojeni të keni punë me gjykatës dhe prokuror dhe do ta kuptoni se asgjë e re nuk duket në tunelet e gjykimit dhe hetimit! Ndaj vriten dhe priten çdo ditë njerëz te pafajshëm, fajtor dhe shërbëtor që marrin përsipër faje, duke mos patur asnjë mundësi për të bërë një jetë normale, pasi kanë gëlltitur çorbën e helmuar të krimit nga bosët, pagatorët dhe blerësit më të fuqishëm të drejtësisë.
Ndaj pak shpresë ka se drejtësia do të vijë ndonjë ditë, sepse nuk është kali i Doruntinës por kukuvajka që lajmëron vdekjen, që në lindje të saj në Shqipëri dhe vetëm aroma mbytëse e kësaj kufome kërkon vite e vite të largohet./Ekskluzive.al