Matilda Makoçi lindi në Tiranë më 19 prill 1963. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës, më 1985. Qysh studente luajti rolin kryesor, Edën, në filmin “Në kufi të dy legjendave”, 1981.
Vijoi më pas në 7 filma me role kryesore. U nderua me medaljonin e festivalit me rolin e Mirës në filmin “Apasionata” (1983), ku dëshmoi prirjen e saj të natyrshme për zhbirilime në psikologjinë e personazhit, si dhe një ndjeshmëri të dukshme aktoriale.
Këto dhunti u shfaqën edhe me rolin e Marjetës në filmin “Hije që mbeten pas” (1985), sidomos me rolin e Silvit në filmin “Të mos heshtësh” (1985), e nderuar me medaljonin e festivalit. Nga e thjeshta dhe e zakonshmja, ajo kalonte natyrshëm drejt te koklaviturës dhe të veshtirës duke i dhënë ndjesi dhe kah gjendjeve të ndera dramatike.
Me lojën e saj, posaçërisht në filma, dëshmoi dhuntinë për të interpretuar figura të përfshira në shtjellën e një përvuajtje e brenge të skajshme shpirtërore, çka e bënte të ngulmonte enkas në zbërthimin e dramës së brendshme të tyre, rëndom falë përdorimit të kujdesshëm të kundërshtive në qëndrimet dhe mendimet e personazhit.
Kjo u vu re edhe në disa role të arrira në skenën e Teatrit Popullor, veçanërisht me Zhuljetën në tragjedinë Romeo dhe Zhuljeta të Shekspirit (1987). U shpall aktorja më e mirë e vitit 1986 dhe fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” me rolin e Silvit.
Ndryshe nga rolet e tjera, rolin e saj të fundit në kinematografi, Dudekaten te “Balada e Kurbinit” (1990), ajo e mishëroi në një rrafsh poetik të mirëfilltë.
Pas vitit 1991 emigroi në Greqi, ku u përfshi në disa projekte televizive e kinematografike të atij vendi.