Nga Anri Bala
Jemi vendi i çudirave dhe çmendurive, populli i vuajtur dhe i mësuar aq shumë me vuajtjen, sa edhe gënjeshtra më e rëndomtë, na duket si e vërtetë vetëm e vetëm se duam të jetë e tillë…një copëz shpresë.
E gjithë kjo, sepse shpresa është zbehur aq shumë, sa si ëndrrimtar të përhershëm duam të besojmë gjithçka. Pastaj si mos tu besojsh mjeshtarve, që jetojnë e gëzojnë duke na mikluar në sedër, e duke na premtuar “sofrën mbretërore”?! Tani nuk lënë rrugë e derë, kanal e fermë, shitës dhe lypës, tregëtar dhe fshatar që nuk u premtojnë parajsën.
Mirëpo zihesh ngushtë kur pyet: Ku punojnë dhe përse i paguajmë e u besojmë, duke e ditur që na gënjejnë?! Nuk kemi parë në asnjë vend të botës të paguhesh se rri rrugëve dhe bënë shkesërira dhe mblesërira në emër të populli që mendon se përfaqëson, por që në fakt thjesht hidhesh e përdridhesh lartë e poshtë, duke gjurmuar dashin e pushtetit t’i bien allatet, që ti, t’i kapësh e të kthehesh aty ku ishe, ai që ishe… faqja e zezë e këtij populli, që me dashuri dhe paturpësi i gënjeve një herë dhe kërkon t’i gënjejshë për së dyti, duke marrë pamjen e ujkut… nëna dhi!
Si mundet, që një popull i tërë, të fus dorën në tasin e varfërisë për të gjetur e për t’ia falur kacidhen e fundit të babëziturve, që përçudi u është mbushur mendja, se ne falim edhe kur na gënjejnë aq trash e pa takt?! Por e rëndë është kur talleni me dhimbjen tonë, që nuk ka asnjë shenjë barazimi me gjendjen fizike, psiqike, shoqërore dhe morale tuajën.
Këtë e bëni të gjithë, që kur flisni në emrin e hallexhinjve, që u qani hallin dhe u premtoni se do tua zgjidhni, por sa të vini atje… në majë të “pushtllikut”.
Meqenëse janë të shumtë soj e sorollopi i mashtruesave, sot zgjodha njërin prej tyre, atë që gënjen më shumë dhe skuqet më pak ose… aspak, Luli Bashën.
Fluturoi dje furtunë babai i gënjeshtrës me Benzin 500 kubik, për tu qarë hallin bujqërve të Devollit. Shkoi agai i rënë nga kali për tu qarë hallin argatëve dhe u lodh e u rropat aq shumë, sa vetëm naftën që harxhoi për rrugë, do të mjaftonte të viheshin një muaj në punë 10 traktorë të vegjël, e i gjithë ky mund me paratë e argatëve që paguajnë e pagujnë edhe për flokët e lyera, edhe për turmën e brohoritësve, edhe për lehësat që mallëngjehen kur e shikojnë, se sa shumë adhurohet mashtruesi.
Megjithëse asgjëkundi nuk ka shenja dashurie dhe adhurim, por vetëm çudie prej guximit të tyre, që nuk kanë cipë të gënjejnë e mashtrojnë për të njëjtat gjëra për të cilat morën hurin në të ndenjura dhe grushtin pas qafe, ama vazhdojnë pa u ndalur të qajn hallet e popullit!
Nuk e di a e patë, se si u përlot djaloshi 17 vjeçar nga Devolli, që punonte ditë e natë dhe nuk fitonte? Nuk e di a e patë, se si u përlot Luli Basha, sepse nuk punonte asnjë ditë, por fitonte, madje premtonte se kur të vij ai në pushtet, djaloshi do të fitonte njësoj sa agai… dhe nuk do punonte. Plot 100 milion dollar do u jepte Luli Basha dhe kurrë nuk do i gënjente, siç i gënjeu sozia e tij Lulzim Basha i 2005-2013-ës.
Shumë respekt për djaloshin që punonte dhe mbante me djersën e ballit familjen, por keqardhje për veprimin foshnjor të tij, që i qante hallin agait, që me paratë e tij jetonte, gëzonte dhe mashtronte. Djaloshi, ndoshta ka qenë i vogël kur Luli Basha ishte me babanë në qeveri dhe natyrisht nuk i ka parë, se sa të “gëzuar” ishin fermerët e Devollit, duke u rropatur për ca kacidhe në Greqi. Sot, babai i PD-së dhe gjyshi i gënjeshtrës, devollive u ndërtoi fabrika përpunimi, kanale kulluese, magazina, naftë pa lekë, taksë zero dhe në fund argatë me lugë floriri, që të hanë, të pinë, të ngopen me… mashtrimin dhe kafshatën e hidhur të mjerimit! /Ekskluzive.al