Presidenti Ilir Meta po lëviz të gjithë gurët për të qetësuar marrëdhëniet me Ramën, por pse jo të ketë pas vetes edhe Lulzim Bashën. Koronavirusi duket se ishte një oaz në shkretëtirë për presidentin, pasi të gjithë i harruan “çmenduritë e tij” dhe u fokusuan te situata aktuale. Meta ishte ai që zbriti në shesh kundër qeverisë dhe nisi një luftë të paprecedentë me ndërkombëtarët. Por kur të gjitha këto pritej t’i ktheheshin pas, Covid-19 solli qetësinë politike dhe shkarkimi i Metës u shty. Pikërisht këtë duket se priste dhe Meta.
Tubimet dhe kërcënimet e përditshme nga Presidenca apo studiot televizive nuk ishin gjë tjetër veçse një ftesë për pazare ndaj Edi Ramës. Meta i tentoi të gjitha mënyrat, por dështoi. Por tashmë presidenti ka hequr dorë nga politika e rrugës dhe e sulmeve, duke u përqendruar te politika e dialogut. Meta po tenton të shfrytëzojë mësëmiri situatën e koronavirusit, por dhe vendimin për negociatat, për të gjetur paqen me mazhorancën. Presidenti e ka zbutur diskursin, ndërsa arriti deri aty sa falënderoi publikisht kryeministri, ndërkohë që deri dje e quante “Nusja e Bilalit”.
Dje Meta ishte në dy studio televizive dhe në të dyja intervistat përgëzoi qeverinë për masat dhe frymën e bashkëpunimit, duke u sjellë sikur PS-LSI ishin ende në koalicion. Po ashtu Meta po shfrytëzon dhe kushtet e Brukselit për Shqipërinë pas hapjes së negociatave. Po në një studio televizive Meta tha se tani ka ardhur koha që palët të ulen e bashkëpunojnë për të përmbushur kushtet, duke çuar një tjetër mesazh paqeje. “Është e domosdoshme në këtë moment paqja e bashkëpunimi. Nga një krizë të shëndetit publik mund të kalojmë në krizë politike etj. Natyrisht të gjitha këto do të përpiqemi t’i tejkalojmë dhe kostot do jenë minimale. Kjo arrihet duke u sjellë të gjithë në mënyrë të jashtëzakonshme… Europa ka kaluar topin në fushën tonë. Duhet të falënderojmë Europën. Duhet që të plotësojmë ata kushte që na janë dhënë. Duhet të ecim përpara dhe kjo varet vetëm nga ne. Duhet të bashkëpunojmë për interesin kombëtar, për integrimin europian”, tha Meta.
Por teksa po tenton pazare me mazhorancën nga njëra anë, Meta duket se po mundohet të mbajë pas vetes edhe Lulzim Bashën. Këtë të fundit e ftoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërkohë sot i bëri një tjetër shërbim. Meta ktheu për rishqyrtim ligjin për kalimin e pronësisë, ligj shumë i kritikuar nga PD. Demokratët e sulmuan disa herë këtë ligj dhe i kërkuan Metës që ta rrëzojë. Pra duket se presidenti po luan me dy porta, duke shfrytëzuar në maksimum situatën.