Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka shpërthyer ditën e djeshme në sulme të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Presidenca është i vetmi institucion që nuk ka një ligj të posaçëm, ashtu sikurse kanë institucionet e tjera.
Në kuadër të reformës në drejtësi u hartua një ligj për presidentin, por në mënyrë të mistershme, ky ligj mbeti në sirtarët e Kuvendit. Sakaq duket se qeveria po rinis punën për hartimin e një ligji të posaçëm për institucionin e Presidencës. Lleshaj ka deklaruar dje se duhet të hartohet një ligj për presidentin. Pak kohë më parë deputeti i PS Adnor Shameti ka kërkuar të njëjtën gjë.
Mesa duket qeveria po i rikthehet kësaj ideje. Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, Lleshaj është shprehur se ligji për presidentin ka 20 vite që diskutohet dhe lihet në harresë. “Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.
Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliard fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”, ka deklaruar Lleshaj. Sakaq nga radhët e PS ka reaguar edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Me anë të një postimi ironik në Facebook, Manja i ka bërë thirrje presidentit që të rimendojë vendimin e tij për të dalë në shesh, duke u shprehur që presidenti nuk duhet të dëgjojë atë që thotë Ilir Meta. “Zoti President mos e dëgjo Ilir Metën dhe ti zoti Ilir mos e çmend Presidentin! Gjeni gjuhën e bashkëpunimit sa më parë se mirë u bëtë gazi i botës, po e bëni edhe Shqipërinë gazin e botës! Ju lutem, takohuni dhe ulni gjakrat, mos u kacafytni brenda të njëjtës kokë.
Duhet qetësi”, është shprehur Manja. Sakaq pas tyre ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidencës. Blushi i ka kërkuar Lleshajt të qetësohet, pasi sipas tij, rendin më 2 mars e garanton presidenti bashkë me popullin. “Asnjë sekondë për të humbur me “Gjeneralin” nën poture. Si mund të bëjë moral për Kushtetutën një gënjeshtar që donte të hynte në shkelje të Kushtetutës me kamuflazh në zyrën e ministrit? Qetësohu “Gjenerali” nën poture: Rendin në 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin”, ka shkruar Blushi./SOT.COM.AL