Ilir Meta arriti objektivin e tij për t’u kthyer në qendër të skenës politike, nga e cila roli i presidentit të Republikës pa pushtete e ka përjashtuar prej kohësh. Por protagonizmi i tij politik dhe përplasja që erdhi pas kësaj kanë evidentuar shumë kontradikta, të cilat prej vitesh kushtëzojnë figurën e tij publike.
Thirrjet e tij nacionaliste për një pranverë kuq e zi, e cila ta pastrojë vendin nga korrupsioni, bien në kontrast me fotografitë, në të cilat ai del duke ngritur dolli përbri dy trafikantëve të drogës, në një festë të partisë në Durrës më pak se tre vjet më parë, kur ai ishte zgjedhur president i Republikës.
Në mbrojtje të tij ndërhyri Leonard Koka, kumbari i takimit mes Ramës e Metës që në prill 2013 solli marrëveshjen e tyre politike: Koka, duke fyer dhe kërcënuar mua dhe gruan time (edhe ajo gazetare), pse kishim guxuar të publikojmë ato foto, kërkoi të saktësonte se takimi nuk ishte një festë partie, por datëlindja e të vëllait, Lefterit.
Pra, duke qenë se nuk përgënjeshtroi tjetër gjë, konkluzioni është se, sipas ndërmjetësit të paqes së shkurtër mes Ramës e Metës, është normale të ftosh në një festë familjare kreun e shtetit dhe dy trafikantë droge, si dhe të ngresh dolli bashkë me ta. Ndaj kërcënimeve që na u bënë si gazetarë, Ilir Meta nuk reagoi, duke treguar edhe këtu një standard të dyfishtë që e bën më pak të besueshëm kur flet për demokraci, pasi ai konsideron që liria e shtypit vlen vetëm nëse ka të bëjë me miqtë e tij.
Meta është lëshuar edhe në denoncimin e një grushti shteti imagjinar, të kryer nga qeveria e Edi Ramës, në bashkëpunim me një “organizatë kriminale ndërkombëtare”, në të cilën, sipas tij, bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe disa dhjetëra ambasadorë. Një akuzë aq qesharake, sa edhe e pabesueshme, së cilës iu përgjigj menjëherë Departamenti amerikan i Shtetit, duke i deleguar ambasadores së tij të re në Tiranë, Yuri Kim, detyrën për t’i dhënë Metës një mesazh të qartë. Dhe mesazhi ishte shumë i qartë: në fillim ambasadorja kritikoi presidentin e Republikës se përdori flamurin amerikan në atë që e përkufizoi si “një manifestim”.
Dhe këtë e bëri në një mesazh publik, duke e vendosur në thonjza fjalën “manifestim” për atë që ndodhi më 2 mars, duke i zvogëluar dukshëm vlerën. Më pas ftoi për dy orë në drekë ministren Etilda Gjonaj, e cila, sipas të thënave të Metës, duhet të jetë ekzekutuesja materiale e “puçit”. Kështu, Ilir Meta është vënë me shpatulla pas muri nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa ato foto skandaloze përbri trafikantëve e kanë vendosur në krizë para opinionit të brendshëm publik, i cili po e përmbyt me mesazhe e kritika edhe në mediat sociale. Për asnjë politikan nuk është e lehtë të japë llogari për të kaluarën e vet dhe nuk është as për Bashën e as për Berishën, të cilët përpiqen të dalin si shpëtimtarët e rinj të atdheut, ndonëse e kanë hedhur në gropë kur ishin në qeveri, e tani nuk është as për Ilir Metën, që dëshiron të duket si një lider pa mëkate.
E megjithatë, për ligjin mbi procedurat e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ai e ktheu në Kuvend me solemnitet gjatë “manifestimit” të 2 marsit, Ilir Meta ka të drejtë. Ai ligj, i cili është votuar më 12 shkurt, parashikon që, në rast se presidenti i Republikës nuk thërret gjyqtarin e emëruar për t’u betuar brenda 10 ditësh nga emërimi, betimi mund të kryhet nëpërmjet një letre. Ndërkohë, Kushtetuta parashikon në Nenin 129 që “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, kështu që nuk mjafton një ligj i votuar nga Parlamenti për ta ndryshuar këtë procedurë kushtetuese. Në rast se do të kishte Gjykatë Kushtetuese, dilema do të ishte zgjidhur dhe gati me siguri ligji do të rrëzohej si anti-kushtetues. Por, duke qenë se Gjykatë ende nuk ka, filloi prova e forcës mes qeverisë, e cila e kërkoi këtë modifikim për të neutralizuar rolin e mundshëm pengues të presidentit, dhe presidentit, i cili e refuzon për të ruajtur prerogativat e veta, duke përfshirë një rol të mundshëm pengues.
Tani që Ilir Meta e rrëzoi, Parlamenti do të gabonte nëse do ta votonte sërish. Dhe jo pse të tremb betimi i Ilir Metës se, në një rast të tillë, më 15 mars do të marshonte mbi Parlamentin me popullin e tij për ta shpërndarë (kompetencë të cilën nuk e ka dhe kërcënim që nuk tremb askënd), por sepse edhe mazhoranca socialiste me Edi Ramën në krye duhet të dijë të pranojë gabimet e veta e t’i korrigjojë ato. Në rast se sistemi i betimit para presidentit, siç është konceptuar në Kushtetutë, nuk funksionon, duhet të ndryshohet Kushtetuta, nuk mjafton një ligj i thjeshtë për ta bërë këtë.
Të këmbëngulësh mbi këtë gabim do të thotë t’u japësh të drejtë atyre që akuzojnë Edi Ramën se synon të përfitojë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar sipas dëshirës pushtetet shtetërore. Një këmbëngulje nga ana e kryeministrit mbi atë qendrim të gabuar rrezikon ta ndihmojë edhe plani ‘B’ që mund të ketë Ilir Meta për të fryrë një krizë artificiale, që jo rastësisht ndodh në vigjilje të vendimit mbi hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Natyrisht është qesharake të flasësh për grusht shteti, por Ilir Meta ka të drejtë kur e ktheu mbrapsht atë ligj. Për fat të keq të tij, ai bën aq shumë gabime të tjera, sa bën të zhduket edhe e vetmja arsye që ka./Nga Carlo Bollino