Atë fund dimri të largët të vitit 1975, pas muaj e muaj xhirimesh tepër të lodhshme, teksa mbaronte edhe dublën e fundit të rolit të tij te filmi “Përballimi”, (Martini, sekretari i partisë i rrethit të Korçës), aktorit të madh Bujar Lako, nuk do t’i shkonte kurrë nëpër mend se e gjithë ajo punë tejet rraskapitëse me xhirime në temperaturë disa gradë nën zero, në disa prej fshatrave më të thella të Korçës, mund t’i shkonte e gjitha dëm dhe të mos kishte asnjë vlerë, pasi të gjitha pelikulat me rolin e tij do të përfundonin në koshin e plehrave dhe prej aty në turrën e zjarrit.
Madje, kjo do të ishte e keqja më e vogël dhe tepër fatlume për të, pasi fare lehtë nga një aktor i njohur kinematografie, ai mund të përfundonte si punëtor i thjeshtë në ndonjë ndërmarrje ndërtimi larg Tiranës, në ndonjë rreth të humbur, apo në rastin më të mirë si masovik në ndonjë Vatër Kulture, të ndonjë fshati të largët kushedi se ku. Dhe e keqja nuk do të mbaronte këtu, pasi “për hir të tij”, nuk do të shpëtonin paq, pa ndonjë masë, as regjisori i filmit, Viktor Gjika dhe skenaristi Teodor Laço, të cilët bashkë me drejtorin e filmit, i kishin besuar aktorit Lako rolin kryesor, atë të sekretarit të Partisë. Por të gjitha këto, peripeci që do të binin mbi kokën e tij, pa pasur asnjë faj, aktori i njohur Lako, që mbante titullin “Artist i merituar” nga viti 1985, dhe prej vitesh një nga yjet e kinematografisë shqiptare, për ironi të fatit, në gjallje të tij nuk e mësoi kurrë të vërtetën mbi këtë letër…?!.
E gjithë ajo punë titanike që duhej për realizimin e një filmi, ku një shtet i tërë nuk kursente asgjë, do të shumëzohej me zero, pasi filmi do të ndalohej dhe do të hiqej nga qarkullimi. Dhe në djall do vente jo vetëm puna e tij rraskapitëse si aktor për realizimin e rolit të Martinit, por edhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me të ardhmen e zymtë që e priste. Po përse mund të ndalohej filmi “Përballimi”, kur ai ishte pëlqyer dhe ishte vlerësuar me superlativa, jo vetëm nga drejtoria e Kinostudios dhe organizata e Partisë e atij institucioni, por në adresë të tij, kishin filluar lëvdatat edhe nga “shokët e Udhëheqjes”, në Komitetin Qëndror të PPSH-së, që i “vinin vulën” dhe filmit i jepej leja e posaçme që të shfaqej për publikun e gjerë?!
Por edhe kjo, pra ndalimi i filmit mund të ndodhte, madje fare lehtë, pasi ishte “vija e masave”, ajo që mund të dilte mbi Udhëheqjen e lartë të Partisë…?! Dhe kaq do të mjaftonte që… të gjithë shokët e Partisë në rrethin e Korçës dhe në Tiranë, deri lart në Komitetin Qendror, të viheshin në lëvizje. Dhe kështu ka ndodhur vërtetë, atë korrik të nxehtë të vitit 1976, kur ajo letër e veteranit nga fshati Lubonjë i Korçës vuri në lëvizje Komitetet e Partive të Korçës e Tiranës, të cilat i raportonin me shkresa zyrtare kabinetit të Ramiz Alisë, që asokohe mbante postin e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe mbulonte artin e kulturën.