Para se bota e futbollit të njihte Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, thuajse të gjithë rekordet e golave të shënuar në Europë mbanin vetëm një emër, atë të Gerd Myler.
Ish-sulmuesi gjerman i cili ka qenë një nga gjahtarët më të njohur të portave në vitet ’60-’70, të martën mbush 75 vjeç.
Por për të nuk do të ketë një festë ditëlindje, pasi vetë legjenda e futbollit nuk do të mund ta festojë, pasi është në një gjendje të rënduar shëndetësore, siç ka treguar gruaja e tij, Ushi Myler.
“Ai nuk ha thuajse asgjë, me vështirësi kapërdihet, qëndron në shtrat thuajse 24 orë dhe vetëm në pak momente është i zgjuar.
Është diçka e këndshme kur hap sytë për pak momente”, tregoi ajo për “Bild” duke shpejguar se Myler vuan nga demencia dhe është në stadin e fundit të sëmundjes.
Gjendja e tij u bë e njohur që në vitin 2015, por është përkeqësuar shumë në vitin e fundit dhe për shkak të situatës me COVID-19, familjarët nuk u lejuan ta vizitonin në klinikë për rreth 3 muaj.
Ajo tegon se nuk kishte ditur si t’ia shpjegonte Myler se pse nuk mund të gjendej pranë tij. Kohët e fundit, meqë në klinikë vlerësojnë se ish-futbollisti është terminal, kanë lejuar vizitat e familjarëve që t’i qëndrojnë pranë në ditët e fundit.
“Gerdi po fle drejt fundit të tij. Ai ka mbyllur sytë, dremit, rrallëherë hap gojën dhe ushqehet me ushqim të holluar. Ai është i qetë dhe në paqe.
Mendoj se nuk po vuan. Ai thjesht, dalëngadalë po fle drejt anës tjetër”, tha bashkëshortja e ish-sulmuesit të njohur të Bajern Mynih dhe Gjermanisë.
Myler është një legjendë e futbollit botëror dhe e ka merituar këtë status me shifrat mbresëlënëse të karrierës së tij. Ai shënoi 365 gola në 427 ndeshje në Bundesligë, si dhe 68 gola në 62 ndeshje me fanellën e përfaqësueses.