Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, që një ligj të refuzohet nga Europa dhe instancat e saj ta çojnë atë në Venecia. Por ndodhi me paketën kundër shpifjes që qeveria Rama kaloi në Parlamentin e kontrolluar prej tij.
Ndaj një delegacion i Komisionit të Venecias erdhi sot në Tiranë për një axhendë 4 ditore ku nga mëngjesi i të hënës do të ketë disa takime në lidhje me ligjin antishpifje.
Dita e hënë do të nisë me një takim të delegacionit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe do të vijojë me takime me grupin parlamentar socialist dhe grupet parlamentare opozitare.
Më tej, agjenda vijon me takimin me anëtarë të Komisionit të Edukimit dhe Medias dhe anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Pasdite do të organizohet një takim i përbashkët i delegacionit me përfaqësues të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dita e hënë do të mbyllet me takimin me Autoritetin e Medias Audiovizuale (AMA).
Të martën, delegacioni i Komisionit të Venecias do të takohet me Presidentin Ilir Meta, kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha dhe me kreun e AKEP-it.
Në fund të janarit, mazhoranca njoftoi tërheqjen e përkohshme nga një prej ligjeve që do të kushtëzojë punën e tyre në të ardhmen, pjesë e paketës anti-shpifje. Drafti që parashikon gjoba dhe penalitete për mediat , kryesisht online, mund të pësojë ndryshime, nëse Komisioni i Venecias në mars konstaton se ka probleme.
“Të qëndrojë në programin e Kuvendit, por të shtyhet diskutimi deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet”, deklaroi Taulant Balla.
Axhenda e Venecias
Në datat 9-12 shkurt 2020, përfaqësues të Komisionit të Venecias do të jenë në Tiranë.
Ditën e hënë, më datë 10 shkurt, në orën 9:15, në Kryesinë e Kuvendit, Zëvëndëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, do të presë delegacionin e Komisionit të Venecias.
Më pas, 10:05-10:45, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të kenë një takim me grupin parlamentar të PS, dhe 10:50-11:30 me grupet e opozitës.
Në agjendën e Komisionit të Venecias në Kryesinë e Kuvendit, në orën 11:35 me 12:30 është parashikuar edhe takimi me Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik