Nga Anri Bala
Në opinionin publik por edhe në të gjitha tryezat politike, apo mes turmave analitike mediatike, pavarësisht se thuhet me ironi apo me dhimbje, të gjithë e kanë kuptuar, se Edi Rama do të largohet nga pushteti kur të doj vetë, sepse sot askush nuk e ndalon.
Të gjithë bashkë dhe asnjëherë të bashkuar, të përçarë si një tufë qensh që lehin e kërcënojnë njëri tjetrin për kockën matanë gardhit, që nuk e kapin dot…sepse nuk kapërcejnë dot gardhin, krijuan mitin e humbjes. Mbi moçalin e pushtetkërkuesve, gëloi llumi i këtyre 30 viteve duke mitizuar pathyeshmërinë e Edi Ramës.
Edi Rama nuk rrëzohet me dëshirë, as me dhunë, por me qytetarë, që besojnë se ndryshimi i pushtetit është një operacion zemre për demokracinë dhe për këtë nevojitet një kirurg, jo si ky që kishim, që flet çdo ditë për mortjen… por një kirurg që edhe nëse je me një këmbë në botën tjetër të bind, se dy këmbët i ke të pashkulshme nga kjo botë.
Ndjellja e panikut dhe e fatalizmit është një fatkeqësi e madhe, në radhë të parë për ne dhe po aq e rëndë për demokracinë. Ndaj është e domosdoshme, që opozita të gjej një lider, që do të bashkoi të gjithë forcat pro demokratike, për të pastruar këtë llum, ku është futur demokracia, që deri tani mund të emërtohet si “demokotësia”.
Grumbullimi i njerëzve pa vlera dhe pa kontribut, si tufa zarzavatesh të të njejtit lloj, i kanë kthyer të gjitha partitë si sekte, ku sa herë që mblidhen “qajnë e ulërasin” për popullin, duke u munduar të na bindin që as që u dhimbet vetvetja.
Kjo metodë e të bërit politikë është e dal boje, por edhe e pështirë… deri në neveri dhe duhet ndryshuar një orë e më parë! Mirëpo ndryshimi nuk është metodë por strategji. Të shohësh për 30 vjet të njejtët klloun që tentojnë të bëjnë politikë në Shqipëri dhe të besosh se këta që 30 vjet vetëm grabitën, u pasuruan, gllabëruan me babëzinë e tyre gjithçka, që u pa syri dhe i zuri dora… se pas 31 vitesh do të ndryshojnë zakon, është lajthitje e madhe.
Të mendosh se Sali Berisha, i pluhurosur me blozën e zezë politike, të fituar nga vitet e hajnisë, krimit dhe mjerimit, të të duket si Kostandini i çuar prej varri për të shpëtuar Shqipërinë, duhet të jesh shpresëhumbur që shikon ëndrra me sy hapur. Ndaj, që të mos shikojmë ëndrra me sy hapur duhet t’i thurim vetë ëndrrat, e kjo duhet të ndodhë sa nuk është vonë.
Ka ardhur koha që lidershipin ta bëjnë ata që nuk janë heronj, por besojnë te heroizmi, sepse heronjtë tanë janë të gjithë “trima të dhjerë” dhe puna më e madhe është tu pastrosh erën e rëndë, që kanë lënë në çdo vend që shkojnë e ulen!
Profesionistëve pa profesion, me tituj e grada politike, që do i kishin zili edhe akademikët më të njohur, duhet tu hiqet parzmorja që kanë veshur, për t’i kthyer në identitet… si mendjeprishur dhe brekëgrisur.
Nëse demokracia duhet të ndaloi së qëni një iluzion në vendin tonë, domosdoshmërisht kërkohet një lider për opozitën, që krijon besimin se çdo luftë ka fitues. Një lider që të krijoi bindje se e majta nuk do jetë fituese e përhershme, duke e thyer mitin e krijuar nga vetë opozita e radhëhumbjeve. Një lider që nuk na bënë të mendojmë, se Rama po drejton vendin sa t’i dojë qejfi, sepse nuk ka asnjë që i’a merr dhe nuk ka as kujt t’ia lërë pushtetin. Kjo është një përrallë e frikshme, që prindërit tanë e kanë parë njëherë në diktaturë, ndaj nuk duhet të përsëritet!
Pastrimi i llumit politik që na ka mitizuar të zezën e çdo vendi… pushtetin pa kufi dhe pa pushim, duhet të filloi, deri sa korbi i madh nuk ka shtrirë kthetrat për të marrë folenë. Nëse e merr, natyrisht do e marrë me gjithë zogjtë dhe ne për shumë kohë do dëgjojmë krra-krratë e tyre. Ndërsa luani i patrazuar me prenë e tij përpara, pushtetin… do të gajaset duke deklaruar: Hë mo, se korba janë!/Ekskluzive.al