Nga Pandeli Bardhi
Kur ndonjërit i falin ndonjë gjë të çmuar dhe ai nuk e do, populli thotë një fjalë: “Nuk do qorri sy”! Në rastin tonë fati e solli që të kemi një kryetar opozite z. Basha. Ky si të thuash është një “mrekulli” nga natyra. Kjo është njëra anë, por ajo ç’ka është kryesorja shtrohet pyetja: Si është e mundur që ky popull i vuajtur e i sfilitur të mos e pranojë z.Basha për kryeministër, që të shpëtojë njëherë e mirë nga varfëria e mjerimi?
Mirë që tërë këtë klasë politike që tashmë është e “çimentuar” për të qëndruar gjatë, por të paktën një drejtues nuk janë në gjendje të vendosin? Por a ka prova të mjaftueshme që të bëhet një gjë e tillë? Po si nuk ka. Nuk besoj të ketë ndonjë që të mos e ketë dëgjuar Bashën sa e sa herë në takime të ndryshme që ai bën “gju më gju” me popullin, me të tëra shtresat e popullsisë, me fukarenj, me studentë, me bujq, me intelektualë… Sa e sa herë ai është shprehur: “Kur të bëhem unë kryeministër, vendimi i parë që do të marr, do të jetë anullimi i Ligjit për Arsimin e Lartë”. Këtë ua thotë studentëve dhe pedagogëve. “Të parën gjë që do të bëj kur të ulem në karrigen e kryeministrit do t’i jap bujqësisë 150 milionë dollarë, e cila është harruar nga kryeministri aktual sepse ai mendon vetëm për xhepat e vet” u thotë fermerëve që shkon e takon kur ata hedhin prodhimet e tyre.
“Sapo qeveria ime, të vijë në pushtet do të rishikojmë ligjin për pensionet dhe nuk do të ketë asnjë pensionist, edhe ata të kategorisë më të ulët që të mari më pak se 400 dollarë në muaj për të shkuar deri tek kategoria më e lartë, apo si i thonë “tavani” deri 800 dollarë” u thotë pensionistëve. “Do të dëgjoj një për një ankesat e qytetarëve për shërbimet dhe nuk do t’i lejoj asnjë shteg korrupsionit. Këtë, shumë shpejt keni për ta parë”; “Akti i parë që do të nënshkruaj, do të anuloj taksën e rrugës së Kombit dhe pas kësaj, do të ul të gjitha taksat dhe shërbimet ashtu si i duan qytetarët”; “Qeveria ime, do t’i thotë “Stop” braktisjes së Shqipërisë dhe i kam të gjitha mundësitë që Shqipërinë, ta rrethoj me tela me gjemba që jo njerëzit të mos ikin, por as lepujt”! Po të numërosh të gjitha sa ka thënë e vazhdon të thotë z.Basha, do të duhen shumë defterë, por edhe kaq sa përmendëm sikur ai, vetëm këto të zbatojë nuk ka nevojë për të tjera, bile, jo vetëm që do e pranojnë si kryeministër, por do e mbajnë në këtë detyrë sa të ketë jetë.
Të kuptohemi, z.Basha këto nuk i thotë me të qeshur, por me seriozitetin më të madh. Vetëm ndonjërit që i duken si çudira, si Nard Ndoka, i cili qesh me buzë shtrënguar, Fatmir Mediu tund kokën në shenjë miratimi dhe mendon: “Unë e di se sa vlen ti për kryeministër, por problemi është ta marrim njëherë qeverinë dhe më pas, një telefonatë unë i bëj djalit të Trump që kam dalë në fotografi dhe ti o Basha, ikën fishek”. Nga ana tjetër, Dash Shehi qesh nën buzë dhe vështron “vëngër”, ai nuk ka fije besimi tek Basha, por “ta marrim njëherë qeverinë pa shohim e bëjmë”! Këta, që i rrinë rrotull Bashës, e dinë se sa i vlen lëkura Bashës, por rëndësi ka që Basha “gëzon” mbështetjen e shumicës së qytetarëve. Të kuptohemi për sa thamë më lart, ai do t’i realizojë ende pa u ulur në karrigen e kryeministrit apo si i thonë, në ecje e sipër duke shkuar për në zyrën e tij.
Po kur të ulet mirë në karrigen e kryeministrit? Do t’i marri të gjitha një e nga një dhe të gjithë do të habiten me këtë çudibërës, që nuk i zënë këmbët dhe e nuk vë gjumë në sy! Të thuash që e kanë provuar ndonjëherë si kryeministër dhe nuk e duan, kjo, nuk qëndron sepse në shumë funksione e kanë provuar, por si kryeministër jo. E kanë provuar si ministër të Brendshëm dhe ka “shkëlqyer”, e kanë provuar si ministër të Transporteve dhe Infrastrukturës dhe ka “shkëlqyer” edhe atje. Mirë që në këto detyra ka qenë i emëruar, por atë e kanë provuar edhe me të zgjedhur nga “sovrani” si kryetar i bashkisë më të madhe, atë të kryeqytetit dhe ka “shkëlqyer” edhe atje. Atëherë çfarë presin që ta heqin atë brekushe madhin dhe ta vendosin z.Basha, mos i mungon “nuri” kur qesh, apo simpatik nuk është, çfarë i mungon? Është e vërtetë që dikur ka qënë një përrallë me “Hemelin”, i cili qëndronte tërë ditën shtrirë mbi furrë dhe ai lutej dhe të gjitha punët bëheshin.
“Me dashjen time dhe me urdhër të peshkut, piquni o bukë kulaçe, rritu o grurë brenda ditës, dil o diell e na ngroh në mes të dimrit etj.”. Kështu edhe z.Basha si ariu, i cili e dinte që “dardhat do të bëjnë shumë sivjet”. Po nga e dini ju o ari? “E di unë sepse më hahen shumë mua këtë vit”! Bashës, i ka dalë nami si vjedhës, si i paaftë, si humbës recidivist apo përsëritës, si kryetar opozite pa asnjë alternativë etj etj. Po mirë mo, ç’duhen të tëra këto dhe çfarë interesi kanë qytetarët nëse di apo nuk di Basha sa bëjnë shtatë herë shtatë, rëndësi ka që ai të bëjë ligjin europian për arsimin e lartë? Po jo, do të thurë kufirin me tela që qytetarët të mos largohen, por, do të thotë dikush mirë që këta brenda nuk do të largohen, por ata nga jashtë si do të vijnë.
Ata që jetojnë e punojnë jashtë vetëm kaq sa thamë të dëgjojnë dhe do ja mbathin të gjithë të vijnë këtu. Çfarë duan më shumë ata kur në vendin e tyre nuk do t’u mungojë asgjë? Paga të larta do të kenë, prindërit e tyre do të marrin pension të mirë, fëmijët do të shkollohen në universitete me një ligj, që diplomat e tyre do të njihen në tërë botën, korrupsion nuk do të ketë e shumë e shumë favore të tjera. Për të hyrë në kufi? Edhe avionë personalë të merrnin do të vijnë këtu të jetojnë e punojnë. Ç’rëndësi ka nëse Basha është “holandez” vendi, rëndësi ka që Holandën ta bëjë për vete dhe të na japi vizën për në BE. Ç’rëndësi ka që gjithmonë ka qenë humbës në të tëra funksionet, por ama si kryeministër, që ta provojmë njëherë, ç’të keqe ka? Thonë që ai ka vjedhur e ka shpërdoruar. Edhe po të jetë kështu, hallall t’i ketë të gjitha, vetëm pensionet të na rriti.
Thonë që ai fle gjumë. Po të tërë njerëzit flenë. Po jo, thonë kur ishte kryetar bashkie flinte në divan, kur udhëtonte flinte në avion. Aq më mirë akoma që e ka këtë veti sepse ai “shfrytëzon” kohën, fle vetëm në momente kur nuk është në krye të detyrës, fle në udhëtim, në kohën e lirë, por jo në orar të punës, jo natën. Njerëz të tillë numërohen me gishtat e njërës dorë në botë. Thonë që kur të vjen e mira, hapi derën. Ja, erdhi 2 marsi. Të gjitha institucionet që ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do t’u kthehen qytetarëve. Kushtetutën, do t’ia heqin nga duart “mafiozëve” dhe ajo do të jetë në dorën e qytetarëve. Po t’i shtosh këtyre edhe kryeministrin e ri që do të vijë në krye, sëbashku me presidentin që do të jetë “gardiani” i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, atëherë Shqipëria, doli nga “izjeti”. Ajo ç’ka nuk dihet është se si do t’i vejë halli kësaj opozite pa as edhe një të vetme alternativë qeverisëse. Mirë Basha që aq “i pret”, po ata që rrinë rrotull Bashës, a i thonë të paktën qoftë edhe një fjalë të vetme që alternativa e vetme që ai shpalos kudo e kurdoherë është që të largojë Ramën? “Nuk ulemi në tavolinë me Ramën”; “Nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën”; “Nuk bëjmë asnjë kompromis me Ramën”. Nuk merret vesh, a është kjo alternativë qeverisëse apo është si puna e asaj të bësh komandë në shtëpinë e tjetrit në një kohë që shtëpia jote fut ujë nga të katër anët?
Kësaj i thonë t’i kërkojnë llogari Bashës, për shtëpinë e Ramës. Përveç atyre që kemi thënë, që në pushtet nuk vihet as me dashje se më pëlqen të jem unë kryeministër, nuk vihet as me premtime butaforike, nuk vihet as me sharje e akuza nga më të paimagjinueshmet, as duke nxitur militantët e simpatizantët duke i vendosur në krye të turmave që dalin jashtë kontrollit. Aftësia dhe largpamësia e një kryetari, e një udhëheqësi e një intelektuali është që ai të bëjë për vete qytetarët, jo duke u thënë atyre “Kur të bëhem unë kryeministër” sepse ata të varrin “teneqenë”, por duke u folur atyre me vizion, me alternativa, me punë konkrete e mbi të gjitha të kesh fituar besimin e tyre. Nuk është e nevojshme as të bërtasësh, as të bredhësh. Na është bërë një ves shumë i keq aq sa tani na është bërë e modës. Jo vetëm këta që sot janë në opozitë, por edhe kur partitë e tjera kanë qenë në opozitë, duke mos patur alternativa, ç’bëjnë? Për të fituar reputacion, jo gjithçka që bën mazhoranca qeverisëse, por ato ç’ka nuk gjejnë miratimin e shumicës së qytetarëve, menjëherë ndërhyn opozita dhe rreshtohet në krahun e qytetarëve për të treguar që ja “vetëm ne mund të bëjmë të kundërtën në interesin tuaj, prandaj largojeni këtë qeveri e na sillni ne në pushtet”. Por nuk bien vetëm krerët e partive në këtë “qorrollepsje”, por edhe partitë që kërkojnë të vijnë në pushtet duke lozur bilardo dhe letra katër vite dhe në fund kujtohen të marrin pushtetin në tavolinë. As më shumë e as më pak, kjo opozitë e sotme nuk ka bërë tjetër përveçse i ka konsoliduar edhe më shumë pozitat Ramës. Rama, pa dyshim që duhet larguar për shumë arsye, por kjo opozitë, e ka bërë atë që të qëndrojë të paktën edhe një mandat tjetër.