Meropi Xhoja (1926-2009). Aktore. Lindi në Durrës më 20 prill. Mbaroi shkollen e mesme në qytetin e lindjes. U aktivizua herët në Levizjen Amatore Teatrore të qytetit duke hipur në skenë qysh në moshë 11-vjeçare më 1937 dhe duke vijuar më pas pranë grupit qëndror të Shtepisë dhe Kulturës Durrës.
U martua me aktorin e njohur Nikolin Xhoja. Është ndër aktoret themeluese të teatrit “A. Moisiu” të Durrësit, më 1953, dhe më pas kaloi në estradën profesioniste me krijimin e saj, më 1960.
Kishte dhunti burimore si aktore komike, aftësi përshtatjeje, fuqi improvizuese, vërtetësi dhe organicitet.
Ka luajtur në mjaft premiera të teatrit, por u vlerësua me çmim në komedinë “Martesa” të Gogolit me rolin e Agafinës, në të cilën dha gruan e shkathët, provokuese e të paskrupullt, shakatore e përtallëse.
Roli i saj më i bukur si aktore teatri ishte Hajria në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, ku si partner kishte të shoqin, Nikolinin, në rolin e Qazim Mulletit, duke realizuar një dyshe harmonike dhe tejet komunikuese.
M. Xhoja ka luajtur një mori rolesh në Estradën e Durrësit, por u dallua posaçërisht në ravijëzimet shpotitëse qe u bëri grave fshatare, të pagdhendura apo llafazane etj.
Karakterizohej nga një lojë dinamike, me temperament dhe theksime herë-herë ekstravagante, veçse përputhur një të vetëndjeri organik, që e bënte lojën e saj të natyrshme dhe tërheqëse.
Pas vitit 1991 u vendos në Itali, në vendorigjinën e të shoqit. Mbante titullin “Artiste e merituar”. Largohet nga kjo botë në vitin 2009 në moshën 83 vjeçare.