Vangjel Grabocka ka lindur më 15 prill 1913 në fshatin Grabockë të Korçës, në një familje patriote. Vangjo siç e thërrisnin të gjithë, që në moshë të re filloi punë si çirak në shtypshkronjë, ku u bë përgjegjës i saj dhe qëndroi atje për më se 25 vjet.
Më 22 korrik të vitit 1950 themeloi bashkë me të tjerë teatrin profesionist “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës. Në këtë teatër Vangjel Grabocka ka interpretuar më se 200 role, të shkruara nga autorë shqiptarë ashtu edhe të huaj.
Në vitin 1980 doli në pension, por nuk u shkëput nga aktrimi, si në teatër, ashtu edhe në kinematografi. Në kinematografi ka luajtur rreth 25 role, kryesisht role të dyta ose episodike.
Vangjel Grabocka ka interpretime të arrira në shumë role, si: roli i Bamkë Qylollarit në filmin “I teti në bronz” në vitin 1970, roli i Dine Çobanit në filmin “Përballimi” në vitin 1976, roli i Rushanit në filmin “Streha e re” në vitin 1977, roli i gjyshit të Gonit në filmin televiziv “Me hapin e shokëve” në vitin 1979, roli i Idriz Cenkos në filmin serial televiziv “Agimet e stinës së madhe” në vitin 1981, roli i kryeplakut në filmin “Kush vdes në këmbë”, roli i xha Gores në filmin “Asgjë nuk harrohet” në vitin 1985.