Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dje ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili sulmoi fort mbledhjen e qeverive Kosovë-Shqipëri dhe po ashtu nuk kurseu akuzat ndaj kreut të qeverisë shqiptare.
Dje Rama u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij dhe u shpreh se është i neveritur nga qëndrimet e tij.
“Unë jam neveritur dje, kur kam kuptuar që deklarata e këtij zotërisë nuk ishte meme, pasi në momentin e parë thashë është një meme se s’ka mundësi që një anëtar qeverie i një vendi me të cilin, ne po përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie sa më të mira bashkëpunimi, në vitin 2020 të jetë një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët, por pastaj kuptova që nuk ishte meme.
Ka vetëm një të mirë kjo, që ekstremistët shqiptarë në Prishtinë më akuzojnë që po punoj për Jugosllavinë e re, apo për Serbinë e madhe, ekstremistët serbë në Beograd më akuzojnë që po punoj për “Shqipërinë e madhe”. E vetmja e mirë e kësaj, në kuptimin e shpjegimit të gjërave”, tha Rama.
Ai i ka bërë një apel dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, duke i kërkuar të reagojë. Sipas Ramës, duhet një reagim i tij pasi për Shengenin Ballkanik i kanë sqaruar gjërat. “Unë kam kërkuar dje dhe e përsëris edhe sot, Presidenti i Serbisë duhet të shprehet për këtë çështje, sepse ai është ministri i tij i Mbrojtjes.
Duhet të shprehet për këtë çështje edhe për një arsye tjetër, sepse me Presidentin e Serbisë, unë kam qenë shumë i qartë dhe mendoj që e kam kuptuar shumë qartë që ai ka qenë dakord me mua, që Shengeni Rajonal për mua është një proces në mbrojtje të interesave kombëtare dhe rajonale dhe në këtë proces, Serbia nuk mundet të hapë gojën se për çfarë dhe për si dhe sa shpejt dakordësohemi ne me Kosovën për të avancuar axhendën për Shengenin Rajonal, sepse Shengeni Rajonal në thelb është vendosja në zbatim e katër lirive të BE-së”, tha ai.
Rama bëri ironi me ministrin Vulin, duke thënë se me shumë gjasë do ketë qenë nën ndikimin e lëndëve helmuese ushtarake. Nga ana tjetër ai tha se Serbia është ajo që bëri masakra në Kosovë. “Sa për vrasësit e UÇK-së, unë jam shumë krenar që për arsye të fatit që e deshi të jem në këtë pozicion dhe të merrem me politikë në këto vite, kam mundur t’i njoh dhe t’i kem miq dhe do të jem miku i tyre deri në fund, në ditë të mira dhe të vështira.
Për mua, ata janë çlirimtarë, nuk janë vrasës. Vrasësit ishin në Beograd dhe janë akoma në Beograd. Asnjë autoritet serb nuk mund dot ta kthejë përmbys historinë dhe ngado të rrotullohen këta personazhe që luajnë me historinë, për të mbajtur peng të ardhmen, nuk e ndryshojnë dot një fakt shumë të thjeshtë: Nuk sulmoi Kosova, Serbinë dhe nuk sulmoi Prishtina Beogradin.
Sulmoi Serbia, Kosovën dhe sulmoi Beogradi, Prishtinën. Nuk ishin tanket e Kosovës që hapën rrugën e një ushtrie, të vënë nën urdhra, për të bërë spastrim etnik, për t’i ngritur njerëzit nga shtëpitë, për t’ju djegur shtëpitë dhe për t’ju përdhunuar vajzat, por ishin nga Beogradi”, tha ai.