Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen me qendrat e partisë. Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Kurti ka potencuar se Vetëvendosja insiston në mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas mediave kosovare, ai ka thënë se e diela e 14 qershorit do të ishte ditë ideale për zgjedhje, duke shtuar se tubimin e madh përmbyllës do ta mbanin më 12 qershor, duke festuar kështu edhe 15 vjetorin e themelimit.
“Pas LVV, tani edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë.
Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë.
Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca.
Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, citohet të ketë thënë Kurti.