Përfaqësuesja shqiptare Shpresa e ka nisur me një fitore te thjeshtë ndaj Andorrës rrugëtimin e saj në eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe.
Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi ka lënë pas krahëve atë barazim turpërues të tre viteve më parë pikërisht në të njëjtën fushë dhe këtë herë ka siguruar tre pikët me një fitore bindëse 3-0.
Me një kualitet si Armando Broja në sulm për Shqipërinë nuk ishte e vështirë që të gjente avantazhin pikërisht me sulmuesin i cili i vodhi topin kundërshtarëve dhe më pas ia doli që të dërgonte sferën në rrjetë. Shifrat u dyfishuan në fund të pjesës së parë pas penalltisë së fituar nga Dobra e realizuar nga Mehmeti.
Fillimi i pjesës së dytë pa Andorrën në sulm, duke kërkuar të vinte në vështirësi prapavijën dhe portierin Alia. Por në minutën e 62-të erdhi edhe goli që i vuri vulën çdo diskutimi, i shënuar nga Karrica me ndihmën e portierit vendas që nuk kontrolloi dot tentativën e tij dhe la sferën t’i ikte nga duart e përfundonte në rrjetë.
Më pas, për Shqipërinë u bë gjithçka shumë e thjeshtë dhe mendoi vetëm të administronte rezultatin, e bindur për tre pikët që kishte siguruar në këtë duel, duke realizuar objektivin që kishte për ndeshjen e parë.