Këshilltari Henz ka dhënë sot disa sqarime për shtypin, pas reaksionit negativ që kanë pasur disa nga videot e prodhuara prej tij, që e paraqesin Lulin si njeri të lidhur me popullin e thjeshtë:
“I dashur Jari!
E di që ka ngjallur reaksion kjo mënyrë e të ndryshuarit të imazhit të Lulit, por duhet ta bënim patjetër.
Dje menduam gjatë se çfarë video mund të prodhonim, që Luli të dukej sikur reflektonte nga gabimet.
Ai është akuzuar për shumë gabime.
Por mbi të gjitha, është akuzuar për abuzime në “Rrugën e Kombit”.
Atëhere vendosëm që të bëjmë një video, ku ai pranon gabimet lidhur me mënyrën se si ecën në rrugë.
Kjo është shumë e thellë si gjetje.
Ndërsa kundërshtarët e akuzojnë se ai ka abuzuar me rrugën, ne botojmë një video që ai abuzon në rrugë, duke ecur.
Ky është ndryshim i madh, që do të thotë se i vetmi abuzim që ai ka me rrugët, është që kalon duke folur në telefon në vija të bardha, ku mund ta shtypë makina.
Këtë e pranon si gabim. Të tjerat, jo.
Lidhur me aktorët që ne gjejmë për të xhiruar, jam dakord që ata duhet të jenë njerëz të panjohur, që nuk kanë dalë më parë në ekrane.
Por kjo nuk është një gjë kaq e thjeshtë.
Në kushtet e vështira financiare që kemi, të vetmit që na gjenden pranë janë militantët tanë, që vijnë vullnetarisht në këto xhirime. Ndaj dhe kemi problem.
Dje patëm një ankesë dhe nga pronari i rezidencës ku banon Luli, pasi banorët janë shqetësuar nga ideja që ata paskan dyqan domatesh brenda vilave, dhe nuk e dinin.
Atij ju desh t’i sqaronte se brenda rezidencës ku janë vilat, s’ka domate, por Luli është njeri punëtor dhe shkon i blen larg, tek tregu fshatar te “Shkolla e Baletit”, dhe pastaj i sjell më Benz tek vila.
Unë mendoj se kjo fushatë duhet të vazhdojë.
Nuk ka rëndësi se si e njohin Lulin ata që e njohin.
Ne i prodhojmë këto video për ata që nuk e njohin.
Vetëm ata mund të na votojnë.”