Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet u takuan sërish dhe 27 vite pas publikimit të filmit legjendar “Titanic”, ata shkëmbyen një tjetër puthje para fansave të tyre.
Takimi u zhvillua në Los Angeles, gjatë premierës së filmit të ri të Kate Winslet, Lee, ku DiCaprio pati nderin ta prezantonte para një diskutimi me publikun.
Ylli i Hollivudit shprehu admirimin e tij për miken dhe kolegen e tij, duke thënë: Kate, shoqja ime e dashur. Puna juaj në këtë film është vërtet transformuese.
“Unë vazhdoj të admiroj forcën, integritetin, talentin dhe pasionin tuaj në çdo vepër që krijoni. Pa u zgjatur, e vetmja Kate Winslet”, dëgjohet të thotë aktori në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Aktorja 49-vjeçare, dukshëm e prekur, doli në skenë, ku puthi në buzë mikun e saj të mirë dhe e përqafoi ngrohtësisht. Të dy u fotografuan para posterit të filmit, me Winslet që mbështeste kokën mbi supin e DiCaprios duke buzëqeshur me njëri-tjetrin.
Filmi “Lee” tregon historinë e fotografes Elizabeth Lee Miller, një ish-modele e cila u bë korrespondente e famshme e luftës për revistën Vogue gjatë Luftës së Dytë Botërore.
DiCaprio dhe Winslet u takuan në vitin 1997 kur ata luajtën Jack dhe Rose në filmin “Titanic” të James Cameron. Ata kanë mbetur miq të mirë që atëherë, duke u ribashkuar si çift në filmin Rruga Revolucionare në 2008.