Mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi përplasjes së Presidentit Ilir Meta me efektivët e Policisë Bashkiake, ngjarje e ndodhur paraditen e sotme, në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike. Konkretisht, Novosti.rs shkruan se kjo përplasje ka ardhur si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm mes Presidentit Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas mediave serbe, Meta ka akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të kryeministrit Edi Rama.
“KAOSI I PËRGJITHSHËM NË SHQIPËRI: Presidenti Meta u përplas me policinë, duke arritur kulmin në një përplasje me Kryeministrin Rama. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u përplas me policinë, e cila u përpoq me forcë të hynte në ambientet e partisë Fryma e Re Demokratike, duke akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të Kryeministrit Edi Rama.
Meta vuri në dukje se ai e konsideron përpjekjen e policisë shqiptare për të hyrë në mjediset e partisë si një grusht shteti. Zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë do të mbahen në 25 Prill,”– shkruan media serbe.
Kujtojmë se mesditën e sotme një përplasje mes policisë bashkiake dhe zyrtarëve të partisë Fryma e Re Demokratike degjeneroi në grushta, shpulla dhe sharje. Në sherr u përfshi edhe presidenti Ilir Meta. Përplasjeve ju bashkuan më tej edhe anëtarë të tjerë të Opozitës së Bashkuar, mes tyre kryedemokrati Lulzim Basha, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili.
Turmës ju bashkua edhe djali i Ilir Metës, Besarti, i cili me maskën e LSI-së të vënë, qëndronte në hyrjen e zyrave të FRD-së.