Romeo Kara, ish-juristi i OSSH-së, i cili denoncoi aferat me privatizimin e këtij organi dhe një prej dëshmitarëve kyç të aferës CEZ-DIA, në një intervistë për gazetën “SOT” tregon se ka ardhur koha që në Shqipëri të nisin arrestimet në nivel kryeministrash.
Sipas tij, përmes denoncimeve që ai ka bërë për të gjithë këto afera është thyer tabuja e heshtjes përballë të fortëve, ndërsa tani pret që po përmes këtyre dosjeve të thyhet tabuja e të paprekshmëve të politikës, ku padyshim SPAK duhet të një reprezaljen.
Madje, ai teksa jep detaje për dosjen e famshme “CEZ-DIA”, shprehet se në lojë për këtë çështje dhe privatizimin e OSSH janë përfshirë çifti Meta-Berisha dhe se në total kjo aferë shkonte në 1 miliardë euro.
Po ashtu, juristi i njohur zbulon edhe disa arsye që kanë detyruar Sali Berishën që pak ditë më parë të takohet me ambasadorin çek në Shqipëri, Karel Urban.
-Zoti Kara, më 4 prill të këtij viti ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me ambasadorin çek në Shqipëri, Karel Urban. Keni një koment se çfarë e ka shtyrë Berishën të kërkojë takim me një ambasador të një prej vendeve të BE?
Jam plotësisht i bindur, se atë çfarë e lidh Sali Berishën, në mënyrë të pazgjidhshme me çekët, janë dy aferat e njohura tashmë: privatizimi i OSSH-së nga CEZ-i dhe kontrata për mbledhjen e detyrimeve DIA-CEZ. Janë dy afera të cilat së bashku kanë pasur si objektiv shuma të mëdha parash, pothuaj një miliard euro.
Nëse do të kemi një hetim në themel të çështjeve, nëse zbardhim aktivitetin e vërtetë të CEZ-it dhe partnerëve të tij në Shqipëri dhe jashtë saj, kam bindjen e plotë se, do të konstatojmë bilance fallco dhe politika të ERE-s lidhur me çmimin e energjisë, të bazuar pikërisht me këto bilance fallco.
Nuk po flas pastaj për pjesën e investimeve, e cila ka qenë totalisht klienteliste dhe nën ndikimin politik. Një pjesë të objektivit të tyre, atë lidhur me privatizimin, ata e kanë arritur të plotë, ndërsa pjesën lidhur me mbledhjen e debive, pjesërisht.
Unë kam kallëzuar penalisht krahas Berishës dhe Metës edhe ish-drejtuesit me të lartë të CEZ-it, këtu dhe në Pragë, të cilët kanë qenë dhe janë persona shumë të fuqishëm dhe influentë në politiken çeke. Gjithmonë pala çeke, ka pasur një vëmendje të shtuar se fundi lidhur me këto dy afera, të cilat mund të kthehen në skandale edhe në Çeki.
Kam konstatuar dikur, në 2013, bisedime jozyrtare të njerëzve afër kryeministrit çek, me administratorin e DIA-s, për të bërë një koordinim së bashku, me qëllim për ta vënë si sanduiç në mes shtetin shqiptar, pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur ai u përball në të njëjtën kohë: me çështjen DIA dhe me procesin e kalimit të aksioneve nga CEZ-i tek shteti shqiptar.
Çfarë tjetër do ta detyronte një ambasador të EU-së, që të tejkalonte vijën e kuqe, të vendosur nga State Departament, lidhur me Berishën, nëpërmjet shpalljes se tij non grata? E kam bindje se ata kanë një qasje të tillë ndaj njëri-tjetrit, një qasje të imponuar nga e kaluara problematike e përbashkët e tyre, peng i së cilës ata janë tashmë.
Edhe mua më kanë kontaktuar dhe takuar ish-ambasadorë çekë në Shqipëri dhe më kanë kërkuar që të mos i ngacmoj me këto dy çështje, të cilat në atë kohë, po i trajtoja në opinionin publik dhe proceduralisht, vetëm unë. Iu kam dhënë pak a shumë këtë përgjigje: “Ju duhet të ishit model suksesi për Shqipërinë, pasi e tejkaluat shumë shpejt procesin e tranzicionit dhe nga emigrantë në Greqi në fillim vitet ‘90, tashmë keni nje GDP më të lartë se ajo dhe konkurroni me industrinë europiane në të gjitha parametrat.
Pra unë vlerësoj mënyrën dhe arritjet tuaja lidhur me tranzicionin nga tregu i centralizuar në tregun e lirë, por unë nuk mund të pranoj talljen tuaj, duke korruptuar, abuzuar dhe vjedhur vendin tim të varfër dhe sidomos përdorimin për këtë qëllim, të njerëzve të kallupit të Nuel Kalaj dhe Ismailajt”.
Kur i kam përmendur këto dy emra, ish-ambasadori çek u pajtua plotësisht me mendimin tim, pasi i njihte personalisht të dy këta persona. “Kam dhe unë të drejte ta dua dhe mbroj vendin tim”, i kam thënë ambasadorit”, ashtu siç edhe ti e do dhe e mbron Çekinë ende”.
Nuk besoj se ka qenë takim kortezie, ky takim i Berishës, por takim halli. Çështjet janë në proces, pavarësisht se jo me ritmin e duhur, por besoj se janë pa kthim. Këtë informacion që kam unë, e kanë edhe ata.
-PS kërkon zbardhjen e aferës CEZ-DIA dhe CEZ. Por duhet thënë që ju jeni person i parë që keni denoncuar këtë korrupsion. Keni shpresë se SPAK do të guxoje të çojë para drejtësisë përgjegjësit?
Të bësh drejtësi duhet padyshim integritet, kurajë dhe njohuri të thella. Ju pyesni: a do të guxoje SPAK-u? Pra, edhe ju pranoni perceptimin se organet e drejtësisë kanë frikë nga Berisha, Meta dhe politika e lartë rreth tyre. Nëse do të isha në vendin e tyre, do t’a përjetoja fort dhe si sfidë personale dhe institucionale një karshillëk të tillë, kur dikush me rri përballë dhe ushtron ndaj meje presion frike.
Do përballesha padyshim në rastin më të parë me këtë sfidë. Vite përpara, pa pasur kushtet dhe garancitë e SPAK-ut, statusin e tij, unë jam përballur personalisht dhe ia kam dalë, sepse kurrë nuk ia kam lejuar kujt të shtyp nëpërmjet forcës dhe frikës, të drejtat e mia. Nuk ka më asnjë justifikim për SPAK-un.
Duke i trajtuar si sfidë hajdutët e politikës së lartë, ai do i rikthejë dinjitetin vetes dhe shtetit, strukturë e të cilit është. SPAK-u është Prokuroria Speciale e Republikës së Shqipërisë, prandaj askush nuk mund t’i rrijë atij përballë si sfidë.
Nëse SPAK-u nuk vepron, atëherë ai duhet të ripërtërihet me personat e duhur, ose të inicioje ndryshimet e duhura ligjore dhe të mi delegojë mua kompetencat e tij se e bëjë unë atë punë. SPAK-u të mos mbush sirtarët me urdhër-arreste dhe të presë të bien çudi nga qielli për t’i ekzekutuar ato.
Prej tij po përjetojmë karshillikun e padurueshëm të hajdutëve të politikës. Jemi të lodhur duke mbajtur këtë klasë politike mbi shpinë dhe këtë sistem inaktiv drejtësie.
-PD e Berishës po zhvillon zgjedhje ne dege, por bie ne sy fakti qe disa kryetar degësh vijnë nga LSI, a po përgatit terreni për t’ia dhënë partine Ilir Metës?
Kam që në vitin 2017 që e kam konstatuar diçka të tillë. Meta e ka synuar qartë marrjen e drejtimit të PD-së, pasi LSI i rri e ngushtë dhe nuk i përshtatet ambicieve të tija.
Këtyre ambicieve iu shtohet edhe halli i përbashkët, që kanë me drejtësinë dhe faktorin ndërkombëtar, prandaj ata e kanë shmangur deri diku etikën politike dhe po koordinohen hapur, për të përballuar sfidat, që po iu ofron një e ardhme e shpejtë.
Kanë qeverisur dikur së bashku, kanë vjedhur së bashku, kanë bërë opozitë se bashku dhe kanë të njëjtën përballje me drejtësinë së bashku. Ky bashkim është pikërisht populli i 2 Marsit, të cilin e përmend me mburrje pa pushim Meta. Le të shkrihen e t’a quajnë lëvizjen e tyre, populli non grata i 2 marsit. Për interesat e tij Berisha jep edhe merr, prandaj nuk është çudi që t’i ofrojë në përdorim Metës pasuesit e tij, të cilët ai mund t’i tërheqë pas në çdo moment. Sidoqoftë unë nuk parashikoj asgjë pozitive nga ky bashkim bandash. Sidoqoftë, kur djajtë përqafohen, duhet rritur vigjilenca.
– Ilir Meta ka nisur sulmet ndaj qeverise dhe kryebashkiakut Veliaj, si i shihni këtë riaktivizim…
Së pari, ai atë punë ka, nuk ka punë tjetër. Së dyti, ai kërcet dhëmbët sa herë ka për të bërë ndonjë pazar, por në këtë rast ai do të investohet si lideri i vetëm i opozitës. Së treti, përpara se të marrim seriozisht retorikën e tij politike, kurrë të mos harrojmë, se si ka qeverisur Meta në nivel qendror dhe lokal.
Meta e lufton korrupsionin vetëm kur i del nga rreshti dhe të jeni të bindur se, shumë nga informacionet që janë ofruar lidhur me ish-ministrin e tij Koka dhe ish-këshilltarin e tij Bllako, i ka marrë fillimisht nga vetë goja e tyre. Sidoqoftë duhet përgëzuar, që po jep kontribut, për të pastruar atë që bëjnë ish-njerëzit e tij, kur punonin për të dhe SHPK-në e tij LSI.
-Javën që shkoi u shpallen non grata biznesmeni Ylli Ndroqi dhe ish-deputeti Aqif Rakipi. Keni një koment dhe a rrezikohen emra te tjerë?
Padyshim që ky është vetëm fillimi. Personalisht kam mendimin se e gjithë kjo elitë politike duhet shpallur non grata. Gjë nuk kanë lënë pa bërë dhe asgjë nuk kanë më se çfare të ofrojnë. U plakën, u thinjen dhe u ranë dhëmbët duke vjedhur dhe tashmë po promovojnë këlyshët e tyre të shkolluar me paratë e vjedhura nga ne si kapacitete me edukim europian. Ky trashëgim i qeverisjes për të vjedhur, duhet marr seriozisht dhe duhet goditur ligjërisht dhe publikisht.
Në dijeninë time, është një listë e tërë, deputetët, ish-deputetë, ministra dhe ish-ministra për t’u shpallur non grata. I këshilloj ata që merren me punët e rrugës dhe antiligjit, që sot mburren me ndikimin e tyre në politikë, frenojeni babëzitjen dhe largojuni ndjelljes së pushtetit, sepse fuqia juaj është si kështjella mbi rërë, e cila rrënohet brenda çdo momenti.
Rrënjët reale të pushtetit janë në virtyt, moral, edukim dhe jo në vrasje, vjedhje, trafik, korrupsion dhe pazar politik. Rrugaçët politikë të çdo ngjyre dhe zgjyre duhen shqelmuar me ceremoni nga politika dhe të trajtohen me kujdes të veçantë, për t’u bërë shembull i paharruar për të gjithë. Personalisht për këtë dukuri, do të kërkoja rikthimin e përkohshëm të dënimit me vdekje. Asnjë mëshirë për ata që kanë vrarë, prerë, grabitur, dhunuar dhe poshtëruar në mënyrë të përsëritur këtë popull.
-Po për aferën e inceratorëve keni një koment?
Largimi i drejtuesve të firmave pjesëmarrëse në proceset e incenerimit, rrit dyshimet ndaj tyre. Ata që nuk kanë probleme dhe janë të bindur në veten e tyre, nuk i largohen përballjes me drejtësinë. Tashmë ky perceptim është krijuar për ta.
Dalloj një kolazh ngjyrash politike, ku dikush i rritur në oborrin e PD-së, punon dhe presupozohet se, ka bërë afera si përfaqësues i lartë i LSI-së dhe përfundon duke menderosur një mandat deputeti të PS-së. Një rrëshqitje diskredituese politike nga e djathta në të majtë, që iu mbyll gojën të tria partive. Sidoqoftë, le të presim hetimet, të cilat duhen bërë shpejt dhe saktë, larg ndikimit politik.
Nëse prokuroria ka provat e duhura, atëherë duhet kaluar në sekuestrime totale. Arrestime pa sekuestrime, nuk ka kuptim. Deri sa të zgjidhet çështja në apel, duhet zgjidhur nëpërmjet një administratori të deleguar, administrimi i kompanive, të cilat operojnë akoma me zbatimin e kontratave në fjalë.
Nëse janë faktet dhe provat e plota të kryerjes së veprave penale, ndërprerja e tyre do të ishte hapi i duhur për momentin. Partitë politike, duhet të distancohen nga ata, që shumë shpejt do t’i përthithë kjo aferë dhe për te cilët ka kohë që janë firmosur urdhër-arrestet. Zilja për këtë aferë ka rënë që më 2018, por deliri të bën më tepër trim se sa duhet.