Katër avionë me pajisje mjekësore u nisën nga aeroporti i Beogradit për në Itali, një ndër vendet më të prekur nga koronavirusi. Carlo Lo Cascio, ambasador i Italisë në Beograd falënderoi Serbinë për ndihmën, duke thënë se ky është një “gjest i madh”.
“Kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme për ne. Ky material do të jetë shumë i dobishëm për spitalet tona, për të shpëtuar jetë njerëzish nga koronavirusi”, ka thënë Lo Cascio.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ndihma për Italinë përbëhet nga 2 milionë maska kirurgjikale, 2 milionë maska epidemiologjike, 1 milion doreza mbrojtëse dhe pajisje të tjera.
“Serbia do t’i dërgojë Italisë tetë avionë me ndihma. Katër sot, dy nesër dhe dy pasnesër. Këto janë mallra që Serbia i ka blerë me paratë e qytetarëve të saj. Italia ka tani më shumë nevojë se ne. Vendi ynë është i furnizuar”, -tha Vuçiç.
Në kutitë me pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit është shkruar “Ne do të fitojmë së bashku – Itali ji e fortë, Serbia është me ju”.
Italia, pas Shteteve të Bashkuara ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi, mbi 26,000.
Në Serbi mbi 7400 persona janë infektuar me koronavirus, ndërsa kanë vdekur 144. /REL/