Mirush Kabashi lindi në vitin 17 prill 1948 në qytetin e Shkodrës. Familja e të atit ishte me origjinë nga Gjakova, ndërsa vetë Kabashi u rrit në qytetin bregdetar të Durrësit.
Ndërkohë në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke kryer edhe detyrën e drejtorit, 1991-1993.
Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Disa nga filmat ku ai ka luajtur janë: Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, Nata, Edhe ashtu edhe kështu, Binarët, Telefoni i një mëngjesi, Shoqja nga fshati, Një ndodhi në port, e shumë pjesë të tjera artistike.
Artisti i mirënjohur la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Një nga rolet më të spikatura ka qenë ai i Sokratit me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.
Kabashi është cilësuar gjithashtu si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.
Kontributi i tij është i larmishëm, si në filmografinë shqiptare e ashtu në teatër, të cilit i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij.
Fëmijëria e tij kaloi përmes një kalvari vuajtjesh për shkak të burgosjes së të atit:
“Unë linda në Shkodër, më pas shkuam në Durrës, ku e arrestuan babanë, ishim me fat që qëlluam në Shkodër. Siç arrestuan të gjithë nxënësit e shkollës teknike, psh dajën e konsideruan si spiun i amerikanëve dhe e eliminuan fare. Mbas dy vjetësh në birucë e liruan dhe kjo përcaktoi edhe të ardhmen tonë”, thonte Mirush Kabashi në intervistën për Report Tv.
Por si nisi rruga e tij drejt aktrimit, krejt rastësisht dhe aspak e mirë menduar.
Nga konkurimet midis gjimnazeve unë u evidentova, fillimisht nuk kisha asnjë alternative tjetër për të shkuar në shkollë të lartë sepse isha djali i tretë dhe dy vëllezërve më përpra i ishte dhënë mundësia. Por shefi i seksionit i cili kishte qenë drejtor i shkollës më kërkoi që të merrja pjesë në konkurset jashtë radhe. Fitova në konkurs dhe më pas emërimi në teatrin e Durrësit, ishte shkolla e vërtetë për mua” , rrëfente Kabashi.
Mirush Kabashi ka spikatur me një sërë rolesh por fillimisht evidentoi me rolin në një komedi të shkrimtarit rus Nikolai Gogol.
“Roli im i parë Le Stakovi tek komedia e Gogolit ‘Revizori’ dhe më këtë rol u evidentova mirë dhe më pas filluan edhe rolet e tjera”, thonte Kabashi.
Ndërsa roli i jetës së tij do të ishte ai i Sokratit me të cilin solli jo vetëm një zhaner të ri në Shqipëri por edhe prezantoi artin shqiptarë nëpër botë.
“Në kohën e diktaturës as që bëhej fjalë, kam punuar 25 vite me tekstin pedagogu gjatë kohës së shkollës ma kishte rekomanduar për ta bërë një pjesë, pastaj unë mendova që mund të bëhet një menodramë. Ka qenë një punë individuale deri në kohën kur u ngjita në skenën e teatrit. Unë e kam bërë me shumë pasion jo vetëm në pikëpamjen e interpretimit por për mesazhet e jashtëzakonshme edhe për situatën në Shqipëri por edhe në pikëpamjen botërore”, thonte Kabashi në intervistën për Report Tv në janar 2022.
Në intervsitë Kabashi rrëfeu edhe historinë e dashurisë me bashkëshorten Lolën, të cilën e njohu në kohën kur ai ishte pedagog dhe ajo student.
“Unë e kam pasur studente dhe kështu u njoha në kurs. Unë kam qenë pedagog i jashtëm, më pëlqeu në aspektin e formimit shpirtëror dhe intelektual, vinte nga një familje e thjeshtë dhe kështu u martua, zoti na fali dy vajza” thonte Kabashi.