Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar në emisionin “Aktualitet” se largimi i kryeministrit Edi Rama është i pashmangshëm dhe opozita nuk do të ndalet derisa ta largojë nga pushteti.
I pyetur nëse është përgatitur për zgjedhje të parakoshme dhe të marrë pushtetin para vitit 2021 apo do të presë rotacionin normal, Basha tha:
“Çdo ditë me Edi Ramën në pushtet është një kosto e përballueshme për qytetarët shqiptarët. Dushtimet e kësaj qeverie rëndojnë çdo ditë mbi supet dhe xhepat e shqiptarëve, ndaj ne nuk do të reshtim të bëjmë gjithçka që t’ia shkurtojmë këtë vuajtje shqiptarëve dhe të zgjedhin me votën e tyre një parlament legjitim dhe një qeveri legjitime.
Aksioni politik i opozitës ka qenë i shumëllojshëm, që nga protestat, bojkoti që ka çuar në arritje të madhe, siç ishte ligji për dekriminalizimin dhe sot që jemi në stacionin e fundit të kësaj beteje, sot që kemi përballë një qeveri në ikje dhe një kryeministri në ikje, është që bashkimin e shqiptarëve ta bëjmë sa më të madh të jetë e mundshëm. Ju siguroj, unë PD dhe koalicioni opozitar jemi sot zëri i shqiptarëve. Ne e dimë që ndryshimi është ajo që do shumica e shqiptarëve. Sic thashë, Edi Rama ka vetëm një gjë në dorë sot, të ikë me faqe të bardhë apo faqe të zezë.
E them si metaforë se Shqipërisë dhe Edi Ramës i është nxirë faqja, por një herë e ka në dorë të marrë drejtimin dhe të lejojë rotacionin normal të shtetit. Në çdo rast, largimi i tij dhe i bandës së tij është i vulosur.”-tha Basha.