Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Në një prononcim për mediat avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin si të padrejtë.
Llalla u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Veçmas këtij vendimi, Llalla nuk do i lejohet për 5 vite ushtrimin e profesionit në poste publike.
Ish kryeprokurorit iu sekuestrua dhe 22 mijë m2 tokë dhe një apartament në Durrës, pasuri kjo e provuar nga shkalla e parë si e vënë në kundërshtim me ligjin.
Adriatik Llalla u akuzua për korrupsion nga Departameni Amerikan i Shtetit, i cili i ndaloi atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA.
Duke folur në një konferencë të shoqërisë civile në shkurt 2017, ish ambasadori amerikan në Tiranë z. Donald Lu, e akuzoi publikisht Llallën se po pengonte reformën: “Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës.”
Nga ana tjetër Llalla iu kundërpërgjigj ashpër ambasadorit duke iu drejtuar se: “Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.”
Por historia dëshmoi të kundërtën, se ambasadori amerikan paska pasur të drejtë, për sa kohë ish kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar sot me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit me 2 vite heqje lirie, si “peshku i madh” i drejtësisë së re dhe nisjen e zbatimit të vendimit, të cilin do ta kryej të plotë në qeli për shkak se refuzoi “gjykimin e shkurtuar” pranë GJKKO./Ekskluzive.al