Në një raport të shërbimit sekret shqiptar thuhej se një javë para vrasjes, ish-Lideri i Dhjetorit ka pasur një telefonatë me pritësin e armëve që do trafikoheshin në Kosovë. Më pas është kontaktuar ish sekretari i PD Shaban Memia.
Kjo ka acaruar Isamedin Haxhinë dhe Halil Haklajn të arrestuar nga policia me ngarkesën e armëve. Si organizohej trafiku, kush ishte i ngarkuar nga PD, heshtja e qeverisë “Nano” e përfitimet në marka, bashkë me ish ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqi. Si bëheshin planet për të vrarë Berishën
Shërbimi sekret shqiptar kishte informacione para ekzekutimit të Azem Hajdarit se, përplasjet për kapjen e linjave të trafikut kishin sjellë konfliktin me vëllezërit Haklaj.
Raporti sekret i SHISH, i cili nuk është bërë publik me të gjitha detajet e plota, nënvizonte se një nga shkaqet e vrasjes së Azem Hajdarit kanë qenë përplasjet me Haklajt për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Kosovës. Madje bëhej fjalë që në mes ishin disa shuma të papaguara prej mijëra e mijëra markash, asokohe valuta që dominonte këtë trafik me Kosovën.
Më këtë raport sekret të SHIK të vitit 1998 për vrasjen e Azem Hajdarit nënvizohej se vëllezërit Haklaj dhe Haxhiaj bënin trafik armësh me Kosovën, aferë në të cilën ishin përfshirë dhe Azem Hajdari. Ata kishin një marrëveshje mes tyre për raportin e ndarjes së punëve dhe të fitimit.
Ndërkohë që kishin marrë dhe garancitë politike se këto ngarkesa nuk do të prekeshin nga policia apo organet e tjera ligjzbatuese, duke spekuluar dhe me faktin se po ndihmohej lufta e Kosovës. Pavarësisht se gjithçka bëhej kundrejt pagesës, megjithëse me çmim të favorshëm.
Furnizimi bëhej në depot e armëve dhe municioneve të Gramshit dhe dërgohej në linjë tokësore me “ZIL”-t e ushtrisë të rrëmbyer kur u hapën depot. Ndërkohë që qeveria e Nanos në atë kohë kishte “mbyllur njërin sy e njërin vesh” për këtë trafik, duke lejuar një linjë të vogël dhe për eksponentë të opozitës, në mënyrë që ajo të mbijetonte në këtë situatë të vështirë.
Me sa duket përfaqësues të PD ishin Azem Hajdari dhe Shaban Memia, por që herë herë paratë nuk i kishin derdhur në arkën e PD, duke krijuar debite të mëdha, madje dhe me kontraktorët.
SHISH thekson në raport se arrestimi në rrugën e tretë të trafikut të Isamedin Haxhiajt dhe Halil Haklajt dhe një telefonatë e dyshimtë mes një prej trafikantëve me Azemin apo Shaban Meminë acaroi marrëdhëniet mes tyre.
“Isamedini dhe Halil Haklaj, vëllai i Fatmir Haklajt, zhvillonin së bashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gramsh me Rudi Bardhoshin, subjekti ynë në gjurmim për trafik armësh. Me këtë ofertë ishin përzierë edhe Azem Hajdari e Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës.
Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi për në Tropojë, arrestohet nga Policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia. Me ta ndalohet dhe më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi, i cili, sipas informacioneve tona, ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin ose Shaban Memia dhe ka dhënë informacion për trafikun e armëve.
Ky fakt është marrë vesh nga Halili e Isamedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998, dhe ka acaruar më tej situatën midis tyre”, thuhet në dokumenti sekret i SHIK. Gjithashtu, në të thuhet se grupi që vrau Azem Hajdarin kërkonte të vriste edhe ish-Presidentin Sali Berisha. Ata kishin kryer grabitjen e Bankës së Tropojës, ku kishin marrë 600 mln lekë e kishin grabitur edhe mjetet e OSBE-së.
“Grupi i vrasësve të Azem Hajdarit dyshohet se është edhe autor i vjedhjes së fundit të Bankës së Tropojës, ku janë vjedhur rreth 600 milionë lekë, të cilat i mbajnë në shtëpi, si dhe autorë të grabitjes së makinave të OSBE-së, Kryqit të Kuq etj., me të cilat shëtisin lirisht në Tropojë. Theksojmë se ky grup në vazhdimësi, ka shfaqur dëshirën për të vrarë dhe ish-Presidentin Sali Berisha, gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni”, thuhet në raportin e shërbimit sekret.
Në dokumentin sekret flitet edhe për vrasjet e bujshme në Tropojë të cilat nisin në fund të 1997, plas plagosjes së Azem Hajdarit nga ish-deputeti i PS, Gafurr Mazreku e incidenteve të mitingun e PD në Tropojë në fund të po të njëjtit vit, kur Fatmir Haklaj, si shef i komisariatit të policisë nuk e lejoi të zhvillohej.
Pra situata ka qënë tepër e komplikuar e përpos rastësisë, ndoshta Fatmir Haklaj dhe bashkëpunëtorët nuk kishin ardhur në ato momente për të ekzekutuar Hajdarin, por për të hequr “qafe” në fillim Sali Berishën. Këtë informacion jep dhe raporti sekret i SHISH./Pamfleti