Melpomeni Çobani indi në Tiranë, më 6 qershor 1928. E nisi udhën e artit në vitin 1943, si amatore dhe punëtore tipografe, duke luajtur në komedi dhe pjesë skenike, si Liza dhe Sula.
Në vitin 1945, u aktivizua me grupin teatral të qytetit të Tiranës, si dhe në emisionin Ora gazmore e “Radio Tiranës”. Krahas pjesëmarrjes si aktore, ajo ishte asaj kohe edhe një sportiste e dalluar, rekordmene për 10 vjet rresht në sporte të tilla, si: hedhja e diskut, e gjyles, e shtizës, si dhe kampione në pingpong, atletikë, volejboll.
Regjisori Pandi Stillu zbuloi prirjet e saj në fushën e humorit dhe pas kryerjes së shkollës për aktore 1947-1949 pranë Teatrit Popullor, M. Çobani u pranua si aktore profesioniste në këtë teatër. Interpretoi në role kryesisht komike, si nëna te komedia “Motori” e Kolë Jakovës, Hajria te komedia “Prefekti” e Besim Levonjës, apo dramën “Rrënjë të thella”, komeditë “Revizori”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati etj”.
Roli më i suksesshëm gjatë kësaj kohe ishte ai në dramën “Kopshti i jargavanëve”. Në vitin 1955, u emërua si aktore në Estradën e Shtetit, ku interpretoi, gjatë 40 viteve karrierë, mbi 1.000 role nga më të ndryshmet në zhanret e shkurtra të humorit dhe satirës.
Loja e saj ishte e çlirët, spontane, me sens të spikatur humoristik, plot nur komik; ndihen në rolet e saj spikamat dhe ngjyrimet karakterizuese ndaj tipave shqiptare. Ka interpretuar me sukses figurat e grave llafazane, kinse te zonjat, por mendjemëdha e të paafta (monologët “Nikoqirja”, “Më mirë syri se sa nami”), apo të nënave e grave krenare, disi naive e të pashkolluara, por të dashura e të sinqerta, shpesh të nënshtruara nga diktati i burrave, apo të nëpërkëmbura (monologët “Nënë Sanija”, “Zgjimi”, “Brigadjeria”, skeçet “Pastruesja e zyrave”, “Ne stalla” etj).
Ishte nga aktoret komike që interpretonte mjeshtërisht monologun, me tema të larmishme, ku ajo krijonte një galeri figurash, në po atë ndërkohe veprimi, nëpërmjet diferencimit të planeve të aktrimit, të mimikës, të imitimit, të gjestit të figurshëm, të plastikës, të zërit etj.
Në shfaqje të tilla, si: “Autobiografia”, “Trnsferimi”, “Kolltuku magjik”, “Në kërkim të ngjarjeve”, “Lulet e jetës”, Varianti humoristik i “Otellos” “Fejesa” etj., sikundër në një mori pjesësh të shkurtra humoristike a komedi me një akt, M. Çobani krijoi një mozaik figurash të moshave, gjinive, kategorive shoqërore e profesioneve të ndryshme.
Vërtetësia e gjestit, ojnat karakterizuese, plastika e zhdërvjellët, temperamenti i gjallë, kalimi i natyrshëm në plane e figura të kundërta brenda njësisë së kohës në komeditë me një akt, në skeçe në monologë etj., janë nga tiparet që vihen re lehtësisht në lojën e saj, çka flet për një profil aktorial të formësuar. Ka interpretuar edhe një sërë rolesh në teatrin e kukullave, si dhe disa të tillë në kinematografi. Mbante titullin “Artiste e Popullit”. Ndahet nga jeta në tetor të vitit 2016.