Presidentit në ikje duket se nuk i ndahet shpirti nga grekët. Pas dështimit të skenarëve rusë në vend, kreu i shteti duket se ka kthyer sytë nga Athina. Dje Meta është parë në ambientet e Katedrales Ortodokse, ku ka kaluar disa orë me Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Takimi ka ardhur në kuadër të nismës për dhurimin e gjakut, por presidenti nuk e ka fshehur afeksionin që ka për peshkopin grek Janullatos.
Meta ishte ai që i dha nënshtetësinë shqiptare dhe tani duke se ka një vend të veçantë në zemrën e “Fortlumturisë së Tij”. Sa herë që presidenti ndodhet në pozita të vështira duket se hedh sytë te grekët, pasi historikisht marrëdhëniet e tij me ta kanë qenë të shkëlqyera dhe në jo pak raste personalitetet greke e kanë ndihmuar në problemet e politikës. Por ajo që ra në sy në takimet e Metës është se u zbulua personi që ka marrë në dorë situatën për të bllokuar shpopullimin e shqiptarëve. Ai është Peshkopi Janullatos. “Edukimi i brezit të ri me mësimet e shenjta për paqen, dashurinë dhe jetën, nuk prekin vetëm zemrat e mendjet e besimtarëve brenda mureve të kishës, por janë mesazhe aktuale, sidomos për fëmijët e të rinjtë tanë, për t’i mbajtur larg veseve dhe “sëmundjeve të kohëve moderne” siç janë droga, bixhozi, alkooli dhe egoizmi.
Me të drejtë Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos predikon se: “E kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi”. Mirënjohje dhe falenderim të veçantë për Kishën Ortodokse Autoqefale për kontributet dhe përkushtimin e veçantë për dekurajimin e fenomenit të shpopullimit të vendit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shpresës dhe promovimit të vlerave tona më të mira kombëtare, te fëmijët dhe të rinjtë tanë”, ka deklaruar Meta në rrjetet sociale.
Loja e Angjelit
Si për koincidencë, takimi i Metës me Janullatosin vjen në një kohë kur kreu i shteti ka ripaketuar Anastas Angjelin për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qeveria e ka rrëzuar 3 herë Metën për kreun e KLSH dhe sipas burimeve të sigurta të gazetës, këtë herë Meta do të dërgojë si kandidaturë emrin e Anastas Angjelit. Ky i fundit është deputet i PS dhe sigurisht që mazhoranca do të vihej në vështirësi, pasi mos votimi i tij do krijonte përçarje brenda PS. Sa herë që Meta ka përplasje me kryetarët e PS fut në lojë Angjelin dhe grekët.
Të gjithë e mbajnë mend periudhën e konfliktit Meta-Nano. Angjeli ishte protagonist i asaj periudhe, ndërsa në lojë ishte dhe lobisti grek Nikolas Gejxh, mik i Angjelit. Nano e largoi Angjelin nga qeveria dhe nisi një krisje mes tyre, por më pas hyri pikërisht Gejxh për të qetësuar marrëdhëniet. Pra, lidhjet e Angjelit me grekët janë të lashta, e veçanërisht me lobin grek në SHBA. Duket se dhe tani na paraqitet e njëjta panoramë. Në mes janë Angjeli dhe Janullatos, ndërsa në dy cepa janë Meta dhe Rama. Dikur përballë Metës ishte Nano. I çuditshëm është fakti që presidenti po tenton të fusë në krye të KLSH presidentin e një Fondacioni Jofitimprurës, i cili vetëm i tillë nuk është. Angjeli Universitetin Mesdhetar e ka regjistruar si OJF, por ndërkohë një student minimalisht paguan në vit 3 mijë euro në vit.
Ku shkojnë këto para? Vetë KLSH mund të auditojë dhe universitete private, licencat që janë dhënë dhe gjithçka tjetër. A është në konflikt interesi Angjeli? Ajo që bie në sy është se Anastas Angjeli sa herë ka kriza mundohet t’i shfrytëzojë për të përfituar. Edhe kur ishte lufta Nano-Meta tentoi të përfitonte për të shmangur largimin nga posti i ministrit të Financave dhe tani po bën të njëjtën gjë./Sot/KLITI TOPALLI