Pas lajmit se Fevzo ka shtruar drekë për 100 punonjës të Spitalit Infektiv, këshilltari Henz i shkruajti Jarit:
“I dashur Jari!
Besoj e dëgjove lajmin që Fevzo ka shtruar drekë për 100 bluza të bardha të spitalit infektiv.
Ky ishte një operacion shumë i koklavitur.
Në fillim pati rezistencë nga mjekët, pasi ata thanë se në kushtet e distancimit social, nuk mund të shtrojmë një drekë më 100 vetë. Kjo është kundër etikës mjekësore.
Këtu Fevzo u vu në siklet.
-Po mirë mo, tha. Mund ta bëjmë onlinë. Secili të hajë në shtëpi dhe të lidheni të gjithë me mua dhe në një ekran dalin 100 vetë duke ngrënë, dhe poshtë vëmë strishat: “Bukën tonë të përditshme Fevzo jepna sot!”
Këtu plasi një ngatërresë e madhe, pasi mjekët kryesorë thoshin ne nuk jemi keq për një pjatë gjellë nga Fevzo.
Problemi jonë është se ne, nuk kemi kohë të lëmë të sëmurët e të shkojmë në iftarin e Fevzos.
Atëhere Fevzo u premtoi që do t’i nxirrte online grupe grupe.
Grupin e mjekëve të rëndësishëm bashkë. Ata do kishin në menu mish, patate, një pjatë kos, dhe në fund lëng portokalli.
Pastaj grupi i dytë do ishin mjekët e panjohur. Ata do kishin mish pule, sallatë dhe fanta.
Grupi i tretë i infermiereve. Ato do hanin supë dhe nga një picë.
Edhe këtu pati rezistencë, dhe u la që ushqimi t’i shpërndahej secilit dhe ta hanin pa praninë e Fevzos.
Më në fund u ra dakord që Fevzo të shfaqej me një grup mjekësh, duke shkuar diku për të ngrënë.
Sapo përfundoi kjo histori, nisi historia tjetër.
U nxeh Sandri, se dëgjoi që Fevzo po shtron iftar.
-Ore çështë ky k.. tha. Me lekët e mia shtron iftar ky në ditë pashke?
Iftaret i shtron Yli Ndroqi nga televizionet, jo unë.
-Nuk është iftar, i tha Fevzo, është drekë bamirësie.
-Po do të bësh bamirësi bli ndonjë respirator Fevzo, i tha Sandri, se nuk janë keq për supë doktorët. Janë keq pacientët.
Por Fevzo e kaloi sherrin. Më nisi mua pamjet t’ia çoja kancelares Merkel dhe liderëve europianë.
Pastaj Gimi i Puros i premtoi se do t’i niste një kopje presidentit Trump.
Nesër pritet jehona në botë e këtij akti të madh bamirësie.”