Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë është konfirmuar pozitiv me koronavirusin së bashku me bashkëshorten. Lajmin e ka bërë publik në rrjetin social Facebook vetë deputeti, ku ka postuar një foto shtrirë në krevat, por pasdite gjendja e tij u përkeqësua dhe u dërgua me urgjencë te Infektivi në QSUT.
Deputeti 57-vjeçar tregoi se ka shfaqur probleme shëndetësore prej datës 24 mars ku nga urgjenca e kanë transportuar me ambulancë tek Sanatoriumi dhe ka mësuar që kishte probleme me mushkëritë, përmes skanerit që i bënë. Ndërkohë i morën edhe tampon, ku përmes një telefonate pas analizës së kryer në laboratorin e ISHP-së e njoftuan se rezultoi pozitiv me COVID-19.
Alimadhi thotë se ka njoftuar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, por se nga 24 marsi deri sot, 27 mars, askush nuk është kujdesur për të teksa akuzon kryeministrin Edi Rama se po bën propaganda. Ai gjithashtu ka shtuar se ambulanca me të cilën e transportuan nuk kishte kushte për të sëmurët, por e krahasoi me një frigorifer që nuk i mbylleshin dritaret. Deputeti shprehet se kryeministri duhet të kontrollojë shërbimet e të mos i marrë të mirëqena ato që i thonë.
Alimadhi thotë se asnjë mjek nuk është kujtuar për ta për t’i pyetur nëse kanë nevojë për kujdes mjekësor, por zgjidhja e vetme është me bashkëshorten. Ai shprehet se kujdesen me radhë për njëri-tjetrit cdo 4-5 orë, e pinë me radhë paracetamolin, kujdeset bashkëshortja për të, kurse kur bëhet më mirë kujdeset ai për bashkëshorten. Pak ditë më parë, në 19 mars deputeti Adriatik Alimadhi u kap nga media duke thyer orarin e karantinës.