Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë dje në mbrojtje presidentin Ilir Meta. Ky i fundit prej disa ditësh ka nisur një ofensivë ndaj mazhorancës, reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve. Ndërkohë që, dje krah presidentit është rreshtuar edhe LSI.
Ka qenë nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale shprehu bindjen se reforma në drejtësi është kapur nga mazhoranca dhe së për të është skandal që ambasada e BE në Tiranë nuk flet për këtë çështje. “Ç’hall ja mbyll gojën BE-së në Tiranë para fakteve skandaloze të reformës në drejtësi! Fakte të njëpasnjëshme njëri me tronditës se tjetri, po nxjerrin sheshit se reforma në drejtësi u kap dhe u copëtua nga rilindja duke përfshirë këtu edhe vetingun. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) megjithëse pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë nuk luajti asnjë rol për ta ndalur degradimin e reformën përkundrazi me qëndrimin e tij thelloi kapjen nga Rilindja.
Zero qëndrime ka pasur BE në Tiranë për faktet flagrante që janë bërë publike dhe që rrënonin integritetin e reformës në drejtësi. Ndaj edhe negociatat nuk hapen, pavarësisht nga sherbeti i deklaratave të BE në Tiranë”, deklaroi Vasili. Ndërkohë, nënkryetari i LSI, Luan Rama teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive, theksoi se tubimi me dy mars i thirrur nga presidenti Ilir Meta është për t’i dhënë mesazh qeverisë që të reflektojë. Sipas tij, në kushtet kur institucionet bien, fuqinë e merr populli.
“Grusht shteti, sipas tyre është kur drejtohesh kundër qeverisë me dhunë. Por është edhe kur një pushtet merr në mënyrë të paligjshme pushtetin e drejtësisë apo kompetencat e presidentit. Ata ngatërrojnë Ilir Metën me Presidentin. Presidenti i Republikës është institucion. Ata deformojnë institucionet. Kështu që, një nga mënyrat e komunikimit me qytetarët është komunikimi publik. Ky është një tubim për të krijuar një situatë mbështetjeje për qëndrimin e Presidentit. Ky akt është një mesazh që qeveria të reflektojë sepse nuk ka vetëm presidentin, por ka edhe qytetarët. Ai nuk është vetëm në mbrojtje të Kushtetutës, por ka edhe qytetarët që janë në mbrojtje të saj. Atëherë ndodh ajo që ka thënë Presidenti, që kur institucionet bien fuqinë e merr populli. Ai ka përgjegjësinë ti dalë zot Kushtetutës”, deklaroi Rama.