Vitore Nino (Ujka) ishte nga ato aktore të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, që çdo rol që interpretonte kishte si “maja” shpirtin e saj, herë epik e herë lirik, herë prej burrëneshe e herë të shoqëruar me një humor fin shkodran.
Krijimi i figurës së Hallës të fanatikut te kinokomedia “Çifti i lumtur” (14.12.1974) do të mbahet mend gjatë për magjinë e interpretimit, për vështrimin shpotitës, buzagazin e të qeshurën e ëmbël, për të folurin plot ngjyrë e befasi të këndshme. Ky rol do të jetë një nga realizimet e talentit të saj si aktore, edhe pse kanë kaluar 47- vjet.
Vitorja u lind me 07 shkurt të vitit 1924 në Shkodër dhe vdiq më, 25.03.2007, në moshën 83-vjeçare në Tiranë.
Pasi mbaron Institutin Pedagogjik të Shkodrës, fillon punë si mësuese, në fillim në Tiranë e më vonë në Kosovë. Jep lëndën e Gjuhës shqipe. Edhe pse ajo e kishte nisur këtë rrugë diturore, dashuria për teatrin mbetet motiv i parë, ëndërr që e ndjek pas…
Kështu nis rrugëtimin e parë, e përfshirë, në grupet amatore të qytetit të Shkodrës. Takimi me regjisorin Andrea Skanjeti për Vitoren do të jetë mbresëlënës. Regjisori e aktivizon në pjesën “Portreti” (viti 1946), ku ishte dhe vetë regjisor. Edhe pse hera e parë, Vitorja e shndrit rolin. Në vitet e mëvonëshme, regjisori Skanjeti në shfaqjet që vuri në skenë, Vitores do t’i besojë role të rëndësishme në përputhje me karakterin e saj. Për Vitoren, regjisori Skanjeti do të shprehej:
“Është një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga “Portreti” (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension.”
Vitorja me talentin e saj në udhën skenike teatrore interpretoi 71 role, në udhën kinematografike mbi 20 role, një punë si regjisore, disa punë si as / regjisore. Është vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”, ndërsa Shkodra, qyteti i saj i lindjes e nderoi me “Mirënjohja e qytetit”.