“Ju bëni sikur epidemia do të zhduket në pak javë, ose maksimumi për një muaj. Ne po mundohemi ta ngadalësojmë, sepse besojmë se kjo sëmundje nuk do të ikë kaq kollaj dhe se duhet të bashkëjetojmë gjatë me të. Të paktën deri në daljen e një vaksine dhe kjo kërkon vite. Edhe Koreja e Jugut, që arriti ta përmbante, po përgatitet për rikthimin”.
Kështu deklaroi doktor Anders Tegnell, epidemiologu më i famshëm në Suedi, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë së Shëndetit Publik. Ai është çdo ditë në çdo media të mundshme, për të shpjeguar përse ka vendosur të heqë dorë, për tani, nga masat shtrënguese të lirisë personale.
Në Suedi jeta vazhdon si zakonisht, pavarësisht se nga rasti i parë me koronavirus, më 31 janar, janë regjistruar 4947 pacientë të infektuar, ndër të cilët 393 në terapi intensive, dhe 239 të vdekur.
“Të mundohesh ta frenosh pandeminë mund të rezultojë edhe kundërproduktive”, -shpjegon Tegnell, “sepse sapo rinis zinxhiri i të prekurve, ka mundësi që situata të bëhet edhe më e rënduar”.
Pyetjes së gazetarit se përse nuk shqetësohet duke qenë se fqinjët kanë mbyllur kufijtë dhe gjithçka, epidemiologu suedez iu përgjigj: “Nuk jam i sigurt që ajo që po bëjmë ndikon në përhapjen e infektimeve. Nuk do të suprizohesha nëse do të përfundonte në të njëjtën mënyrë për të gjithë, pavarësisht masave që secili vend ka marrë. E vërteta është se për Covid-19 nuk dimë asgjë dhe çdo vend po eksperimenton zgjidhje të ndryshme, sipas situatës”.