Luli sot doli në pazar vetëm, pa gjyshe Verën.
Për shkak të situatës së pandemisë dhe distancimit social, ai u detyrua të shkonte të bënte pazar vetëm.
Gjyshe Vera, e cila e pa në TV, u përlot dhe i ka shkruar këtë letër plot emocion:
“I dashur Luli!
Sytë mu mbushën me lot dhe dora më dridhet kur të pashë vetëm në dyqan, duke bërë pazarin.
Kjo sëmundje e ndyrë, na ndau për së gjalli dhe na prishi projektin tonë të afrimit social, që kishim vendosur.
Duke shpresur që ti do krijoje imazhin e një njeriu social, të dashur dhe të afërt me njerëzit, pikërisht në atë moment u shpik kjo sëmundje e ndyrë, që kërkon distancim social.
Sapo ti mësove të shkosh në kafe, të shkosh në dyqan, të dalësh xhiro, ja plasi kjo dhe na i prishi të gjitha.
Tani ti detyrohesh të shkosh të blesh shegë pa mua, dhe kam frikë se, duke mos ditur dhe çmimet, mund të ta hedhin shitëset.
Të pashë që i kërkove ftonj asaj shitëses.
Të keqen Vera, ftonjtë bëhen në tetor, tani është prill.
Tani s’ka fruta, ka vetëm perime.
Mund të blesh lakra të njoma, presh të njomë, qepë të njoma, domate kokërvogla e të tilla gjëra.
Po kot që ti them. M’u thanë këmbët, tani s’më lënë të lëviz se ti kisha blerë vet.
Të shikoj çdo ditë të shqetësuar për këto testet e mallkuara që ky Edi Rama nuk i bën.
U thashë dhe grave në lagje nga ballkonet, kur të vijë Luli në pushtet do na bëjë të gjithëve test.
Më tha njëra që është socialiste, se deri atëhere do ketë ikur epidemia.
-Le të iki, i thashë. Ne e kthejmë prapë dhe bëjmë teste. Nuk mund ta lëmë kështu.
Të shikoj që proteston dhe për këto koncesionet dhe ky Edi Rama ka thënë që do anuloj këtë koncesionin e skanimit në dogana.
Dhe një koncesion që ka dhënë Doktori, do ta heqë vetëm se mendon që e ka djali i tij.
Shiko sa njeri i poshtër është.
Po unë u kam thënë grave në ballkon, kur të vij epidemia jonë, ne do t’i anulojmë gjithë koncesionet dhe PPP.
-Ehu, më thotë ajo socialistja, sa të vijë epidemia juaj, kanë mbaruar dhe koncesionet, dhe PPP.
-Do t’i japim prapë, që të kemi mundësi t’i heqim, i them.
Janë shumë të poshtër këta socialistët, por unë ua mbyll gojën, dhe pse jam e vetmuar dhe nuk takohem me ty.
I kuptoj në ajër mendimet e tua.”