Gjyqtari Lazër Sallaku i cili vendosi pak ditë më parë mbylljen e çështjes së lobimit rus pë PD, ka vendosur sot pushimin për dosjen ‘CEZ’ në Gjykatën e Tiranës, ku është i përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha si dhe djali i tij Shkëlzen Berisha.
Sipas Gjykatës, privatizimi i OSSH nga çekë, s`ka vepër penale. Nga hetimet nuk janë gjetur elementë të veprës penale për ish-zyrtarët.
Dosja hetimore për privatizimin e OSSH te ÇEZ, ishte një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit. Për të u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, ku u thirr për të dëshmuar dhe djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për të sqaruar rolin e tij në lidhje me privatizimin e kësaj kompanie.
Komisioni Hetimor arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i ishin shkaktuar 414 milionë euro dëme. Hetimet për dosjen e ÇEZ u rihapën në vitin 2017, pas kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar, ndërsa procesi zgjati për vite me radhë.
Ndërkohë, për këtë dosje u thirrën në prokurori shumë persona për të dëshmuar, ku u përfshinë ish-ministra dhe persona të tjerë që dyshohet se kishin dijeni për privatizimin e OSSH te ÇEZ.
Vendimi për të mbyllur përfundimisht hetimet për dosjen e ÇEZ, vjen rreth një muaj pasi Kuvendi i kërkoi zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që të shpallte moskompetencën dhe dosja të kthehej për hetim te SPAK.
Këtë kërkesë e bëri deputeti socialist Tulant Balla, njeriu që ngriti dhe akuzën disa vite më parë për privatizimin e OSSH.
Hetimet për procedurën e privatizimit të OSSH nga kompania çeke ‘CEZ’ në vitin 2007 (që u konsiderua korruptive), nisën në vitin 2016.
Shkëlzen Berisha akuzohej si sekser i njeriut që ka marrë 7 milion euro kesh nga afera e CEZ, Nuel Kalajt.
Ndërsa zyrtarët e tjerë u akuzuan për veprat penale si më poshtë:
1-Sali Berisha, Ish-Kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera…
2-Nue (Nuel) Nik Kalaj për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
3- Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë
4-Ridvan Bode, ish-Ministër i Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
5-Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.
6-Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248të Kodit Penal.
7- Florion Mima, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
8-Enno Bozdo, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
9-Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
10-Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal;
11-Bujar Nepravishta, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
12-Sokol Ramadani, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.