Gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet për ish-deputetin socialist Arben Çuko, i cili u arrestua në tetor të 2018, pas operacionit “Vol-vo 4”. Çuko u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e korrupsionit dhe grupit të strukturuar kriminal për dosjen e famshme 339, ku shfaqej në përgjimet e grupit të Avdylajve.
Ndërkohë që dje ish-drejtori i burgjeve, Arben Çuko ka marrë pafajësi nga gjykata. Në seancën paraprake, gjyqtari Sokol Tona ka pushuar çështjen në ngarkim të tij, me argumentin se prokuroria nuk solli asnjë provë që lidh Çukon me korrupsionin në burgje. Pak muaj më parë, gjykata ndryshoi masën e sigurisë për ish-deputetin nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim paraqitje”, ndërsa tashmë gjykata ka rrëzuar akuzat për korrupsion, duke lënë vetëm akuzën e moskallëzimit të krimit.
Arben Çuko u arrestua pak muaj më parë në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”, në 18 tetor 2018, pasi doli në përgjimet e grupit “Avdylaj”, pjesë e dosjes së famshme 339. Sipas organit të akuzës, në këto përgjime Çuko u zbulua se favorizoi një të dënuar për të lëvizur nga një burg në një tjetër.
Gjithashtu Arben Çuko u akuzua edhe për korrupsion, pasi shoferi i tij dyshohet se kishte marrë një shumë parash për të lehtësuar kushtet e një të dënuari. Në bisedat e përgjuara gjithçka që iu atribuua Çukos ishte transferimi i të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro, por sipas gjykatës asnjëherë prokuroria nuk faktoi korrupsionin nga ish-kreu i burgjeve. Me kërkesë të avokatit Maks Haxhiaj akuza ndaj Çukos u pusha ndërsa për ish-shoferin e tij dhe dy persona të tjerë gjykimi u hap duke i marrë të pandehur.
Kërkesa e prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me datë 19.06.2019 ka paraqitur kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr. 339/2 të vitit 2016 në ngarkim të të pandehurve, Arben Çuko (ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Qerim Musha, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal. Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal. Artur Balla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal. Denis Llaftiu, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Europian. Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.